KreuCelebrity

Bashkëshortja e të ndjerit Elvis Presley-t akuzohet për ndërhyrje në vdekjen e vajzës së saj!

 

Priscilla Presley, vejusha 80-vjeçare e ikonës së muzikës Elvis Presley, është paditur nga dy ish-partnerë të saj të biznesit për mashtrim, shkelje kontrate dhe ndërhyrje të paligjshme në vendimet mjekësore që kanë ndikuar në fundin tragjik të jetës së vajzës së saj, Lisa Marie Presley, e cila ndërroi jetë në janar të vitit 2023.

Padia, e dorëzuar në Gjykatën e Lartë të Los Angeles-it nga Brigitte Kruse dhe Kevin Fialko, kap vlerën e 50 milionë dollarëve. Ajo përmban akuza serioze ndaj Priscilla Presley, përfshirë vendimin e diskutueshëm për të ndalur mbështetjen jetësore të Lisa Marie vetëm pak orë pas shtrimit të saj në spital, në një kohë kur ajo nuk ishte shpallur ligjërisht e vdekur. Sipas paditësve, ky vendim është marrë me qëllimin për të penguar ndryshime të mundshme në strukturën e trashëgimisë dhe për të rifituar kontrollin mbi pasurinë e Graceland-it.

Lisa Marie, vajza e vetme e Elvis Presley-t, vdiq në moshën 54-vjeçare pas një ataku kardiak. Mjekët ligjorë kanë konstatuar se vdekja e saj ishte rezultat i komplikimeve nga një ndërhyrje bariatrike. Megjithatë, padia hedh dyshime të reja mbi rrethanat që çuan në fundin e saj, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e nënës së saj në atë proces.

Kruse dhe Fialko gjithashtu akuzojnë Priscilla-n për mashtrim financiar në lidhje me kompaninë e përbashkët “Priscilla Presley Partners”, në të cilën ata kishin investuar shuma të mëdha parash me qëllimin për të ringjallur markën dhe figurën publike të saj. Ata pretendojnë se janë mashtruar sistematikisht dhe janë përjashtuar nga çdo përfitim që buron nga kjo sipërmarrje.