
Udhëtoja me një avion "low cost" për në Krakov. Shpesh të njohurit më thonë pse udhëtoj me to. Për dy arsye: e para se s’kam zgjidhje tjetër e nganjëherë për destinacione të caktuara janë zgjidhja e vetme.
E dyta, sepse janë … “low cost”. Çmimet e lira kujt nuk i pëlqejnë?
Avioni, me poltronet në ngjyrë të zezë me të verdhë, ishte i vogël, por çuditërisht i bollshëm. Nëpër panelet vertikale ishin vendosur figura të bukura fëmijësh që lodronin.
Krakovi për mua kësaj radhe ishte thjesht një stop ku do të merrja një makinë me qira për të vijuar më tej, për në juglindjen e Polonisë, pikërisht në Rzeszow (Zhezov). Nëse do të flisnim për Poloninë, ai është një vend i bekuar, me qytete të mrekullueshme, ku historia lexohet qartë në kështjellat e lashta, ndërtesat e bukura e me stil, në vendet mistike, në rrugët, veshjet apo ushqimet.
Rzeszow (Zhezov) është në vetvete një qytet shumë simpatik në juglindje të Polonisë. Edhe pse më pak i njohur krahasuar me Krakovin apo Varshavën, ai ka një karakter të veçantë, është një përzierje e modernes me historiken dhe me rrugë të gjallëruara veçanërisht nga të rinjtë studentë.


Për çfarë njihet Rzeszow (Zhezov)?
-Është qendra kulturore dhe ekonomike e juglindjes së Polonisë.
-Ka shumë shkolla të njohura dhe universitete, dhe si i tillë është qytet me shumë studentë e atmosferë të gjallë.
-Është shumë pranë Ukrainës, vetëm thuajse një orë larg kufirit me të.
-Është tepër i njohur për aviacionin dhe industrinë e teknologjisë; aty ndodhen fabrika dhe qendra kërkimore të mëdha.
-Ka një arkitekturë interesante të pasur, me sheshin kryesor dhe më e veçanta e tij është rrjeti i nëndheshëm që lidhet me historinë tregtare të qytetit, i cili ndodhet fiks poshtë sheshit kryesor Rynek, i cili, bashkë me simbolet, figurat mistike, efektin e tingujve etj., e bën atë më të çuditshëm e të dëshiruar për ta vizituar.


Por çfarë të vizitosh në Zhezov?
-Rynek (sheshi i kryesor), është gjithashtu zemra e qytetit, me ndërtesa të vjetra, restorante dhe kafene. Në mbrëmje ka atmosferë të bukur. Në mes te tij ndodhet “pusi i dëshirave”. Aty mund të shtypësh një buton e të shprehësh dëshirat. Zakonisht vijnë nuset e reja polake që shprehin dëshirën që të mos qëndrojnë me vjehrrat dhe duket se gjatë 50 viteve të fundit u është plotësuar dëshira.
-Rrjeti nëndheshëm i Zhezovit, me korridore të hershme tregtare e magazina, tashmë të hapura për vizita. Ka një lidhje ndërmjet pusit që ndodhet sipër, në mes të sheshit të qytetit dhe korridoreve mistike të rrjetit të nëndheshëm
-Kalaja e Lubomirskëve është një kështjellë historike e shek. XVII, sot përdoret nga institucionet e drejtësisë. Por është tepër e bukur për ta parë e vizituar kur je në Zhezov.
-Rruga (Aleje) Pod Kasztanami, kjo është rrugë e bukur elegante me vila të shek. XIX, si të dala nga përrallat gjermane.
-Pomniku Czynu Rewolucyjnego, monument i famshëm, shumë simbolik për qytetin. Njihesh me të sapo shkel Zhezovin.
-Filarmonia dhe teatrot; është një alternativë dhe përvojë fantastike shkuarja atje, shpesh ka shfaqje të bukura.
-Parku Ogrod Miejski, vend i mirë për shëtitje. Por Zhezov ka shumë parqe, lulishte e shëtitore aq relaksuese, sa dukesh sikur je në një botë tjetër.

Kulinaria:
Duhet provuar kuzhina tradicionale e rajonit të juglindjes së Polonisë:
-Pierogi, janë petulla të mbushura shumë tradicionale në Poloni.
-Zurek është nje supë e thartë, e servirur e ngrohtë dhe me dashuri nga lokalet vendase.
-Ëmbëlsira shtëpiake, veçanërisht vendasit ngordhin për “donuts”, të cilat shiten kudo. Janë aq të mira sa më mirë të mos i provosh se nuk do reshtni së ngrëni.
Në Zhezov gjithashtu ka bare moderne dhe “milk bars” tradicionale (bar mleczny) ku hahet lirë e mirë. Një nga këto është “Mini coffee", arreduar me stil viktorian ku, mund të konsumosh mëngjese apo brunch dhe ka gjithashtu pije të hatashme. Apo restoranti “Folk” i lokalizuar në hotel "Bristol", dhe ku gatuhen e serviren në mënyrën më të mirë të mundshme mish kaprolli, mish rosaku, petullat tradicionale pierogi, si dhe varietete mishrash, sallamrash apo edhe prodhime deti.
Në qytet shpesh organizohen festivale folklorike dhe panaire, gara vrapimesh apo fushata të ndryshme bamirësie, ku mund të gjendesh vetiu në mes tyre e të bëhesh pjesë. Kjo është diçka shumë argëtuese që të përpin.
Gjëja që e bën të veçantë qytetin?
-Megjithëse është një qytet i madh e i shtrirë, me pallate, ndërtesa të lashta apo vila përrallore, në qytet gjen gjithmonë parkim për makinën.
-Pozicioni gjeografik e bën të jetë freskët edhe në verë, kurse në vjeshtë të të duket si dimër ku temperaturat në fillim të tetorit shkojnë edhe 1 gradë e ulëta dhe 3 gradë e larta.
Duhen përherë veshje të ngrohta me vete.
Por Zhezov ngjan të jetë një destinacion shumë interesant dhe një vend që duhet vizituar në Poloni.
Eda Bano, tetor 2025
