Një skenë që të lë pa frymë është regjistruar në autostradën I-95 në Cocoa, Florida, ku një avion i vogël ra në mes të trafikut të dendur, duke u përplasur direkt mbi një makinë.
Incidenti ndodhi rreth orës 17:45 të së hënës, kur avioni me dy motorë humbi kontrollin dhe u detyrua të kërkonte ulje emergjente. Në vend të një zbritjeje të sigurt, ai “u hodh” drejt autostradës duke u përplasur me forcë tek një Toyota Camry 2023.
Pamjet e kapura nga kamera e një makine pas Camryt janë thuajse surrealiste: avioni duket teksa bie në drejtim të makinave, më pas godet fuqishëm pjesën e pasme të Camryt, ngrihet për një sekondë mbi të dhe përfundon i copëtuar pak më tutje, duke shpërndarë shkëndija dhe copa metalesh në mes të rrugës.
Mrekullisht, shoferja 57-vjeçare mbijetoi me lëndime të lehta, sipas FHP. Ndërkohë, piloti 27-vjeçar dhe pasagjeri i tij të dy të rinj olën nga avioni pa asnjë plagë, duke habitur edhe vetë ekipet e emergjencës.
Dëshmitarët thonë se gjithçka ndodhi në një sekondë.
“Pamë avionin duke rënë. Thjesht ra. Ishte drejt nesh,” rrëfeu Jim Coffey, i cili ishte vetëm pak metra larg përplasjes fatale. “Mendova se do të shmangte makinën… por jo. U dëgjua vetëm një bam i madh.”
I biri, Peter Coffey, tha se rrota e avionit “goditi mu në qendër të bagazhit”, duke deformuar makinën dhe duke e hedhur disa metra tutje por pa e rrokullisur, një tjetër mrekulli në vetvete.


Fotot e publikuara më pas tregojnë makinë e shkatërruar, me bagazhin e shembur krejtësisht, ndërsa avioni i copëtuar dhe pa rrota qëndron i thyer në skajin e autostradës.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka nisur një hetim të plotë për të zbuluar çfarë ndodhi në çastet e fundit para katastrofës së mundshme. Ndërsa FHP po analizon përplasjen rrugore.
