Industria globale e argëtimit është futur në fazën më të tensionuar të saj në vite, pasi Paramount në aleancë me Skydance ka nisur zyrtarisht një ofertë armiqësore për blerjen e Warner Bros. Discovery (WBD). Lëvizja vjen vetëm pak ditë pasi WBD kishte hyrë në negociata të avancuara me Netflix për një marrëveshje të madhe prej rreth 72 miliardë dollarësh.
Një ofertë armiqësore ndodh kur një kompani tenton të blejë një tjetër duke iu drejtuar drejtpërdrejt aksionarëve, pa miratimin e bordit drejtues. Paramout e bëri pikërisht këtë, hodhi në treg një ofertë të plotë cash për aksionet e WBD, duke anashkaluar strukturën zyrtare të kompanisë dhe duke e kthyer betejën në një garë agresive për kontroll.
Paramount paraqiti një ofertë prej 30 dollarë për aksion, që e vlerëson WBD në mbi 108 miliardë dollarë, shumë më e lartë se oferta e Netflix. Netflix kishte propozuar rreth 27.75 dollarë për aksion, në një marrëveshje që nuk përfshinte të gjitha divizionet e WBD. Me këtë diferencë të madhe, Paramount synon të bindë aksionarët se paketa e saj është më e favorshme dhe më e sigurt financiarisht.
Paramount dhe Skydance shohin tek Warner Bros. një pasuri gjigante. Bashkimi i këtyre dy titanëve do të krijonte një super-korporatë që do të rivalizonte drejtpërdrejt Disney-n dhe Netflix-in në shkallë globale.
Aksionarët e WBD janë vënë në qendër të vëmendjes. Ata do të vendosin nëse: të pranojnë ofertën cash më të lartë dhe më të sigurt nga ana financiare, të mbështesin marrëveshjen me Netflix, e cila konsiderohet më pak e rrezikshme nga ana rregullatore apo të kërkojnë negociata të tjera.


