
-“Kush të ka pëlqyer më shumë nga Mbretëria e Bashkuar?”- më pyeti një mikeshë, po aq e dashuruar me bukuritë e këtij vendi sa edhe unë.
-“Më pëlqen çdo qytet, çdo vend, çdo cep në UK”,- iu përgjigja. -“Por më shumë më ka bërë përshtypje një fshat i vogël, i çuditshëm, unik e i pashoq në botë, që quhet Portmeirion.
Ajo rrudh vetullat, dukej qartë që nuk e kishte dëgjuar asnjëherë. Për hir të së vërtetës edhe unë e zbulova rastësisht: kisha bërë “rrethin“- siç i them unë udhëtimit që ka nisur me makinë nga Londra (Angli) në Edinburgh, Glasgow (Skoci), më pas me traget deri në Belfast (Irlandë e Veriut), për të shkuar në Dublin (Irlandë), e në fund me anije sërish në Wells për të përfunduar aty ku nisi, në Londër. Por në Wells me të zbritur nga trageti, rastësisht rashë në gjurmët e Portmeirion, që ishte jo pak, por 114 milje (rreth 3 orë) larg vendit ku na ndaloi trageti në Goodwick.
Portmeirion është një fshat turistik shumë i veçantë në Uellsin veriperëndimor, në bregdetin piktoresk të Snowdonias.

Sapo mbërrin aty duhet ta lësh makinën jashtë fshatit në një parkim të madh vetëm për vizitorët.
Fshati është interesant, misterioz, i çuditshëm. Ai është ndërtuar nga arkitekti Sir Williams Ellis në vitet 1925-1975 dhe është projektuar si një fshat italian i këndshëm, plot ngjyra në pastel, të kuqe dhe të verdhë; ka ndërtesa me stil barok, kopshte të bukura deri në perfeksion dhe pamje shumë mahnitëse nga deti.



Por çfarë e bën të veçantë këtë fshat?
-Është një vend privat, jo një qytet real, prandaj hyrja paguhet.
-Shpesh përdoret për filma, seriale dhe evente (më i famshmi është seriali “The Prisoner”).
-Ka hotele, dyqane artizanale, restorante dhe një “village shop”, ku shitet qeramika e njohur Portmeirion Pottery, shumë e kërkuar në Angli.
-Është gjithashtu një destinacion ekologjik, me pyje, plazh, dhe rrugë për shëtitje. Mund të ecësh përgjatë bregut, të shijosh pamje aq mbresëlënëse perëndimi, sa më vonë do të pyesësh nëse ishe vërtet ti aty.
-“Pasaporta”. Në Portmeirion vizitorëve ndonjëherë u jepet një “visitor passport” ose “souvenir passport”, si kujtim nga vizita, për të vulosur datën e hyrjes ose për të treguar që kanë hyrë në “village”. Nuk është dokument real, por një mënyrë kreative për ta bërë përvojën më magjike, sikur po udhëton në një vend tjetër imagjinar. Në disa raste, ajo përfshin edhe zbritje ose një guidë të shkurtër për zonën.

Por ka edhe disa simbole që janë unike në Portmeirion, veçanërisht biçikleta me rrotë të madhe (penny-farthing) dhe numri 2, këto janë emblema të serialit, që përdoren në fakt në çdo objekt kujtese (sticker, magnet, kartolinë, apo “passport”). Njëherë kur bridhja në “The Cotswolds” kisha ngulur spilën me “nr. 2” në xhaketë dhe një shitës më thotë, -“Oh po, e kuptoj, vërtet ke qenë në Portmeirion?”.

Si është seriali që vulosi fatin e Portmeirion?
Seriali “The Prisoner” flet për një agjent sekret që jep dorëheqjen nga puna e tij, por menjëherë rrëmbehet dhe dërgohet në një fshat misterioz: “The Village”. Në këtë serial, Portmeirion shndërrohet në një fshat misterioz dhe njerëzit nuk kanë emra, por numra ku personazhi kryesor quhet “Numri 6”, ndërsa drejtuesi i fshatit është “Numri 2”.
Në këtë vend idilik, të bukur dhe plot ngjyra, banorët duken të lirë, por në të vërtetë janë nën vëzhgim të vazhdueshëm, pa mundur të largohen. Të gjitha rrugët, ndërtesat dhe detajet e Portmeirionit përfaqësojnë këtë paradoks midis bukurisë dhe kontrollit.
Seriali ngre pyetjen themelore: “Çfarë do të thotë të jesh i lirë?”
Dhe pyetja e famshme që përsëritet në çdo episod: “Who is Number 1?”, me përgjigjen sfiduese të protagonistit: “I am not a number, I am a free man!”. Pra, “numrat” në Portmeirion janë simbolikë. Ata përfaqësojnë sistemin që na etiketon, që na kontrollon, që na kthen në numra. Ndërsa Portmeirion vetë, me ngjyrat e tij plot jetë, përfaqëson maskën e bukur të një bote që fsheh kufizime të padukshme. Shumë vizitorë shkojnë pikërisht për ta ndier këtë kontrast: qetësinë që fsheh pyetje të mëdha. U bëra banore e këtij fshati për një natë. Portat e fshatit u mbyllën pas largimit të vizitorëve. Nuk ishim banorë, nuk ishim bujtës. Ishim numra. Numri 2, numri 6 etj. Kush ishte numri 1? Nuk e gjeta dot. Era e luleve shumëngjyrëshe, kërcitja e dallgëve në breg dhe kënga e zogjve na shoqëroi për gjithë natën. Dhoma e hotelit të stilit barok me mobilie antike të mëdha ishte shumë e këndshme dhe nga dritaret e shumta shquheshin shtëpitë e bukura me harqe e ngjyra të fshatit. Ah, ishte edhe zjarrfikësja në mëngjes, që nga një alarm i rremë na bëri të dilnim jashtë me ç’kishim veshur teksa flinim. Por zjarrfikësit nuk dukeshin gjëkundi. Apo ky ishte ritual i përditshëm i zgjimit në fshat? Kurrë s’e kuptova!
Portmeirion është ndër fshatrat më të çuditshëm në botë!
Eda Bano, nëntor 2025
