KreuBusull

"Gjëra që ngjasin" nga Ylljet Aliçka! Udhëtim në dy dimensione, atë të shkrimtarit dhe skenaristit!

Udhëtim në dy dimensione, atë të shkrimtarit dhe skenaristit, duke zbuluar disa sekrete të vogla rreth romanit të fundit, si dhe skenarët që pritet të ekranizohen së shpejti...  

Nga Olsi Kolami  

Dyzet e tetë orë pas mbylljes së Panairit të Librit, për një shkrimtar si Ylljet Aliçka nuk është një ditë e zakontë. Kthimi në realitet nuk është aq prozaik, sepse duhet të bëjë ndalesa të shpeshta rrugës apo në bare, ku të njohur, ose jo, e përgëzojnë për romanin më të ri “Gjëra që ngjasin”. Romanin nisa ta lexoja me kërshërinë që më dha titulli, një gjetje pas shumë dilemash siç pohon shkrimtari, duke cekur se kjo ishte zgjedhja e duhur që e kishte mbështetur edhe mikesha e tij Helena Kadare. Edhe pse ngjan sikur titulli e thjeshtëzon gjithë fabulën e librit – në fakt është krejt e kundërta. Pasi në çdo faqe, përtej kuriozitetit ‘mizor’ të Rene e Didie, dy gazetarë dhe operatorë francezë - përballesh me ngjarje e rrëfime në dukje të njohura për shqiptarët, por nga ana tjetër kupton se shumë prej tyre duken thuajse të pabesueshme, edhe pse janë krejt të vërteta.  

 

Ylljet Aliçka nuk e fsheh aspak se në përgjithësi, (sidomos shtypi i huajt) e cilëson si shkrimtari i së shkuarës komuniste, apo i atij që sjell një analizë të hollë të periudhës komuniste. Për të kjo nuk përbën aspak një tabu, sepse nuk ka rëndësi nëse ngacmimi vjen nga situata të së shkuarës apo së tashmes, rëndësi ka mesazhi që përcjell te lexuesit. Për shkrimtarin - diplomat, koha ku vendosen shpesh ngjarjet kurrsesi nuk është prioritet. Por ama, për të që ka jetuar në periudhën e diktaturës komuniste dhe demokracinë e pas viteve ’90, mund të cilësohet fat, sepse në një vend si Shqipëria, nuk ka lëmë më të mirë si ai i dy kohëve. “Çdo vend është unik, por Shqipëria prodhon shumë për letërsinë. Është realisht laborator i mendjes dhe emocioneve njerëzore, i cili ka brenda të pazakonshmen e kalimit nga një diktaturë e ashpër komuniste në demokraci. Pra, gjithë veçantia e Shqipërisë është një terren i privilegjuar për letërsinë, me ngjarje shumë dinamike të cilat janë të vyera për shkrimtarin apo skenaristin”, thekson ai.  

Pikërisht, kur temat e së shkuarës prekin të sotmen, e pastaj ndërthuren mes tyre, ato kthehen në një dimension të parapëlqyer për shkrimtarin, sepse siç pohon realiteti shqiptar është shumë kompleks, shpesh shumë i copëzuar, por edhe shumë i paparashikueshëm. “Ky është laboratori i shpirtit njerëzor brenda të cilit sheh përshtatjen, vetë zhgënjimin, manipulimin e mendjes. Mbi të gjitha mua më intereson vetë zhgënjimi, sesi zbulon, sesi njeriu arrin të përshtatet në realitete të caktuara, duke i fshehur vetes interesa, qoftë ekonomike apo narciste, të cilat i vesh me një koracë politike, morale apo shoqërore. Më intereson fakti sesi shqiptari përshtatet në realitete të reja, i ndërgjegjshëm apo jo”.  

Realiteti në Francë ku ka jetuar prej vitesh si ambasador, por edhe raportet e ngushta me të huajt,(për gati 10 vite ka punuar në ambasadën e Bashkimit Evropian), kanë pikëzuar te shkrimtari dhjetëra e qindra fragmente e histori. Ato reflektojnë mentalitetin e jo shqiptarëve përballë realitetit shqiptar (shpesh të keqkuptuar), të cilat i ka kthyer në qendër të romanit të fundit “Gjëra që ngjasin”. “Një pjesë e jetës simeka qenë e lidhur më të huajt qoftë jashtë apo kur kam punuar në ambasadën e Bashkimit Evropian. 

Gjithmonë më ka interesuar deformimi i perceptimeve të shqiptarëve ndaj botës, por edhe botës ndaj shqiptarëve

 Për shqiptarët u krijua një imazhiluzor, shpesh i deformuar - si viktimë e klisheve dhe paragjykimeve, duke nxjerrë gjykime të nxituara”, pohon Aliçka për “Bordo”. Siç edhe thekson, edhe pas 35 vitesh demokraci, ai haset shpesh me një njëjtin perceptim nga të huajt ndaj shqiptarëve, të cilët kanë qenë burim traumash.  

Edhe pse fiction, “Gjëra që ngjasin” sjell një seri ngjarjesh të vërteta, madje një pjesë të jetuara nga vetë Aliçka nën lëkurë. Ai zbulon për lexuesit e “Bordo” se 12 vite më parë ka shoqëruar realisht si guidë gazetarët e televizionit francez "Arte" në kërkim të historive të gjakmarrjes – një temë e cila ishte kthyer prej kohësh në lajm në mediat në Francë. Ky fenomen, edhe pse në dukje arkaik dhe po aq ekzotik për të huajt, nga ana tjetër e shqetësonte shkrimtarin për faktin se kishte një hendek të madh mes realitetit dhe stereotipeve që media kishte për Shqipërinë. “Nuk doja që romani të ishte bardhë e zi, edhe pse ngjarjet janë të rrëfyera nga vetë emigrantët shqiptarë dhe të huaj realë. Isha në Procence, ku takova Prefekten dhe më tregoi mbi temat që shqiptarët kishin për të kërkuar azil, si: orientimi seksual, gjakmarrja apo rrëzimi i bustit të diktatorit, pikërisht për këtë të fundit, në disa sekuenca në libër, kam zgjedhur t’i sjell me nota humori, edhe pse janë ngjarje që kanë ndodhur”, shprehet Aliçka.  

Në roman, shkrimtari i jep një dinamikë tjetër historisë së dy gazetarëve francezë në Shqipëri në kërkim të historive të gjakmarrje, kur ata takojnë Markun, një personazh i cili ‘të habit me frëngjishten e pastër, kulturën, por edhe atdhedashurinë, e cila ka kthyer në Shqipëri pas një eksperience të gjatë jete në Evropë. Marku hyn befas në rrëfim duke sjellë një tjetër anë ngjarjeve të romanit - herë e mbuluar me një tis misteri, e herë me një kuriozitet tipik nga ai që shfaqin të huajt përballë një realiteti tjetër me shqiptarët. Vetë shkrimtari pohon se kur e ka takuar Markun ishte befasuar, edhe pse më pas zbuloi se nuk ishte aspak ashtu siç dukej – ai vinte në atdhe dhe vendoset në vendlindjen e tij, pas një eksperience në institucionet e vuajtjes së dënimit në Evropë, i akuzuar për trafik prostitucioni. “Personazhi i Markut është real, e gjithë historia e shkruar është e vërtetë, sigurisht duke ruajtur elementet e anonimatit, por disa ngjarje pastaj i kam përshtatur në letërsi. Kam ndërthurur një tjetër ngjarje po reale, e cila lidhej me një personazh italian, i cili pasi mori eshtrat e një të vdekuri në një varrezë dhe i vendosi zjarrin makinës në Pukë për t’u shpallur i vdekur”.  

Mes dialogëve e historive të rrëfyera nga personazhet e Shqipërisë së Veriut, e kupton lehtësisht vërtetësinë e ngjarjeve, pasi hasesh me një gegnishte të pastër, për të cilën autori pohon se e ka pasuruar me literaturë dhe histori tipike të zonës, siç janë kodet zakonore apo ngjarje të ndodhura në kohë rreth fenomenit të gjakmarrjes

Nga ana tjetër, ndërfutja e informacioneve, mes tyre edhe histori që shpesh i gjen në media, Aliçka e ka pasuruar romanin duke i dhënë më shumë ngjyra, siç është futja e personazheve shqiptare me ndikim botëror, si Nënë Tereza, për të krijuar një kontrast me atë që shumica e të huajve njohin Shqipërinë.  

Ylljet Aliçka njihet ndërkombëtarisht si shkrimtar, por edhe skenarist, me një penë që dallon për dialogët e shpejtë tipike për kinemanë. Dashuria për skenarin nisi me filmin “Parullat” me regji të Gjergj Xhuvanit, pasi u vlerësua më parë për romanin më të njëjtin titull, ndaj vijon ende të përgatisë materiale me destinacion ekranizimin. Aktualisht ka në dorë disa skenarë, një prej të cilëve është “Looking for Kanun” me temë rreth gjakmarrjes, i cili është ende në fazën e diskutimeve, siç Ylljeti shpjegon, do kohë derisa të jetë gati. Ndërkohë një tjetër skenar që ka në qendër historinë e vajzave që humbën jetën në Belsh, pritet të realizohet së shpejti.  

I gjendur mes shkrimit të romaneve dhe filmit, kjo e fundit sot nuk është fort shqetësuese, sidomos në botën e sotme të platformave si Netflix apo Amazon. Një shkrimtar si Ylljet Aliçka, që jeton mes dy dimensioneve, librit dhe skenarëve, edhe pse institucioni i librit nuk e ka shkëlqimin e dikurshëm, ai ka shpresë se vëmendja ndaj tij do të rikthehet. “Historia njerëzore ka treguar se aty ku ka reaksion, ka edhe kundër-reaksion. Libri po shkon në pikën e fundit, po ka mundësi të kthehet. Hyrja e Inteligjencës Artificiale në jetën moderne po rrezikon anën shpirtërore, emocionin dhe kjo e ka frikësuar njerëzimin, sepse po humb elementi krijues. Çdo kohë ka nevojë për individin krijues, në të kundërt rrezikojmë të biem në ideologji ose fe. Sot, shoqëria ka nevojë për individë krijues, sepse ana shpirtërore po zbrazet”, përfundon shkrimtari Ylljet Aliçka.  

Shqipëria prodhon shumë për letërsinë. Është realisht laborator i mendjes dhe emocioneve njerëzore, i cili ka brenda të pazakonshmen e kalimit nga një diktaturë e ashpër komuniste në demokraci.  

“Gjëra që ngjasin” sjell një seri ngjarjesh të vërteta, madje një pjesë të jetuara nga vetë Aliçka nën lëkurë. Ai zbulon për lexuesit e “Bordo” se 12 vite më parë ka shoqëruar realisht si guidë gazetarët e televizionit francez “Arte” në kërkim të historive të gjakmarrjes.