Prindërit e një djali të lindur në Ohajo të SHBA-së përdorën embrion të 'adoptuar' nga fertilizimi in vitro (IVF) që ishte ruajtur për më shumë se 30 vjet. Kështu ka lindur "foshnja më e vjetër” në botë, nga një embrion që ishte ngrirë në vitin 1994. Thaddeus Daniel Pierce lindi më 26 korrik në Ohajo nga Lindsey dhe Tim Pierce, duke përdorur një embrion nga Linda Archerd, 62 vjeç, më shumë se 30 vjet më parë.
Në fillim të viteve 1990, Linda Archerd dhe bashkëshorti i saj i atëhershëm vendosën të provonin fertilizimin in vitro (IVF) pasi kishin vështirësi të mbeteshin shtatzënë. Në vitin 1994 rezultuan katër embrione: njëri u transferua te Archerd dhe rezultoi në lindjen e një vajze, e cila tani është 30 vjeç dhe nënë e një fëmije 10-vjeçare. Embrionet e tjera u kriokonservuan dhe u ruajtën.
"Ne nuk e nisëm duke menduar se do të thyenim ndonjë rekord. Ne thjesht donim fëmijë. Patëm një lindje të vështirë, por tani të dy jemi mirë. Ai është shumë i qetë. Jemi të mahnitur që kemi këtë fëmijë të çmuar,"- tha Lindsey për MIT Technology Review, e cila e raportoi e para historinë.
IVF është një lloj trajtimi i fertilitetit ku vezët merren nga vezoret e një gruaje dhe fekondohen me spermë në një mjedis laboratorik. Embrionet që rezultojnë më pas transferohen përsëri në mitër. Embrionet gjithashtu mund të ngrihen dhe të ruhen për përdorim në të ardhmen.
Archerd tha: Gjëja e parë që vura re kur Lindsey më dërgoi fotot e tij është se sa shumë i ngjan ai vajzës sime kur ishte foshnjë. Nxora librin tim të foshnjës dhe i krahasova ato krah për krah, dhe nuk ka dyshim se janë vëlla e motër.
Archerd mori kujdestarinë e embrioneve pasi u divorcua nga bashkëshorti i saj. Më pas ajo mësoi për "adoptimin" e embrioneve, një lloj dhurimi embrioni në të cilin si donatorët ashtu edhe marrësit kanë të drejtë të vendosin se kujt ia dhurojnë embrionet e tyre. Ndaj edhe Archerd kishte një preferencë që embrioni i saj të “adoptohej” nga një çift i martuar i bardhë, i krishterë, gjë që çoi në adoptimin e embrionit nga familja Pierce.
-
Zbulohen emrat më të preferuar për foshnjet për vitin 2024!
1 Gusht, 11:30 -


