Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi. Një vajzë 4-vjeçare, e vetmja fëmijë i një familjeje shqiptare që prej vitesh jetonte e punonte në ishullin Paxos, është gjetur e mbytur në një pishinë pasditen e së dielës.
Sipas burimeve lokale, ngjarja ndodhi rreth orës 15:00. E mitura ndodhej në kopshtin e shtëpisë duke luajtur, por për disa minuta i shpëtoi vëmendjes së nënës. E shqetësuar, ajo nisi menjëherë ta kërkonte vajzën nëpër dhoma dhe oborr, ndërsa në kërkim u përfshinë edhe fqinjët.
Pak më vonë, trupi i pajetë i fëmijës u gjet në pishinën e një vile rreth 150 metra larg banesës së familjes. Ishte kuzhinieri i vilës, ku po punonte përkohësisht, ai që e zbuloi tragjedinë, pasi turistët që qëndronin aty ishin larguar më herët.
Vogëlushja u transportua me urgjencë në Qendrën Shëndetësore të ishullit, ku mjekët bënë përpjekje për ta rikthyer në jetë, por pa sukses.
Autoritetet greke njoftuan se nëna e 4-vjeçares është shoqëruar në komisariatin e policisë së Paxos dhe pritet të dalë para prokurorisë, për t’u marrë në pyetje mbi rrethanat e ngjarjes.
Ky rast tragjik ka ngjallur reagime dhe diskutime të shumta mbi sigurinë e fëmijëve, mbikëqyrjen prindërore dhe masat që duhet të merren në hapësira private si pishinat e hapura.

