Një lajm i rëndë ka tronditur botën e medias shqiptare. Gazetari dhe analisti i njohur, Artur Zheji, është ndarë nga jeta këtë pasdite, në moshën 64-vjeçare.
Ngjarja ndodhi në Sarandë, ku Zheji po drekuar me bashkëshorten dhe djalin e tij, në një restorant në rrugën “Butrinti”. Papritur ai pësoi një arrest kardiak. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë dhe transportit drejt spitalit rajonal “Petro Nako”, ai nuk arriti të mbijetojë.
Në njoftimin e Policisë së Sarandës thuhet se:
“Rreth orës 16:10, ambulanca e Spitalit Rajonal Sarandë ka marrë në afërsi të restaurant ‘Layos’ shtetasin Artur Petro Zheji, i lindur më 26.09.1961, banues në Tiranë, i cili kishte probleme shëndetësore. Ky shtetas ka ndërruar jetë gjatë transportit me ambulancë.”
Artur Zheji ishte një nga figurat më të spikatura të medias shqiptare. Bir i dy personaliteteve të njohura, euriditit Petro Zheji dhe aktores Besa Imami, ai u rrit në një familje me kulturë dhe art. Prej dekadash ka kontribuar si gazetar, publicist dhe analist, duke mbajtur edhe funksione drejtuese në disa media të rëndësishme.
Që nga viti 2017, Zheji drejtonte emisionin politik dhe analitik “360 Gradë”, ku shquhej për analizat e mprehta, pyetjet e drejtpërdrejta dhe debatet që ndezte në studio.
Me ndarjen e tij nga jeta, media shqiptare humbi një zë të fortë e kritik, ndërsa publiku një nga figurat më të njohura të ekranit.

