KreuCelebrity

Rrëfimi tronditës i Stelinës për babain: U kthye përbindësh, lamë me durat tona gjakun e mamit dhe motrës

Rrëfimi tronditës i Stelinës për babain: U kthye

Me një rrëfim thellësisht prekës dhe rrëqethës, Stelina ndau për herë të parë publikisht historinë më të dhimbshme të jetës së saj në Big Brother Vip, duke rikthyer një nga episodet më të errëta që ka përjetuar familja e saj. Rrëfimi i saj la pa fjalë banorët dhe teleshikuesit, duke sjellë në vëmendje një realitet brutal të dhunës në familje dhe pasojat e saj të pashlyeshme.

Stelina tregoi se fëmijëria e saj nisi si një përrallë. E lindur më 5 korrik të vitit 2000, ajo kujton vitet e para si të lumtura, deri në momentin kur gjithçka nisi të shembej. Një ditë, teksa luante jashtë, dëgjoi britma që vinin nga shtëpia. Kur u ngjit lart, gjeti nënën duke paketuar rrobat, me shenja dhune në fytyrë. Ishte paralajmërimi i parë i një makthi që do të shpërthente vite më vonë.

Momenti që i ndryshoi jetën përgjithmonë erdhi më 13 gusht 2009. Vetëm për 15 minuta  minutat më të gjata të jetës së saj shtëpia u kthye në skenë horror. Babai, i armatosur me një levë, theu derën e dhomës dhe sulmoi nënën e saj, duke i shkaktuar plagë të shumta, përfshirë edhe pranë zemrës. Në përpjekje për ta mbrojtur, ndërhyri motra e Stelinës, vetëm 14 vjeçe, e cila u plagos rëndë në qafë, shumë pranë venave jetike.

Në një akt dëshpërimi për të shpëtuar jetën e nënës dhe të motrës, vajza e mitur mori një hekur dhe e goditi babanë në kokë, duke e lënë të shtrirë në tokë. Ndërsa nëna dhe motra përpiqeshin të largoheshin, Stelina mbeti e ngrirë në krevat, pa asnjë reagim, e paralizuar nga frika dhe trauma. Ajo rrëfen se me duart e tyre lanë gjakun e nënës dhe motrës, përpara se të dilnin jashtë, ku policia kishte mbërritur.

Në spital, përpara se të largohej, Stelina pa një pamje që do ta shoqëronte gjithë jetën: babanë e saj të shtrirë në shtrat, i lidhur me pranga. Pas kësaj ngjarjeje, ai përfundoi pas hekurave.

Trauma ishte aq e thellë, sa Stelina ndaloi së foluri për disa ditë. Mjekët paralajmëruan se ajo mund të kishte humbur zërin si pasojë e tronditjes psikologjike. Por fjalët e para që ajo shqiptoi u kthyen në një betim për jetën: “Ata do ta dinë emrin tim, dhe ti do t’u thuash që unë ia dola”.

Edhe pse e plagosur fizikisht dhe shpirtërisht, nëna e saj vendosi të mos dorëzohej. Ajo punoi pa u ndalur që vajzave të saj të mos u mungonte asgjë, ndërsa motrat nuk e lanë kurrë dorën e njëra-tjetrës. Stelina e takoi babanë vetëm dy herë pas ngjarjes dhe më pas mori vendimin që të mos e shihte më kurrë. Ai ndërroi jetë në qershor të vitit 2025.

“Më vjen keq që im atë u kthye në përbindëshin e jetës sonë”, shprehet ajo, duke përmbledhur dhimbjen e një jete të shënuar nga dhuna.

Në vitin 2025, Stelina u bë pjesë e një programi televiziv, pa e ditur se aty do të gjente forcën për të ndarë historinë e saj me publikun. Sot, rrëfimi i saj është një dëshmi e fortë kundër dhunës në familje dhe një mesazh shprese se, edhe pas traumave më të rënda, është e mundur të mbijetosh dhe të ngrihesh sërish.

Tags:

stelin