KreuCelebrity

Profesionalizëm apo strategji…/Një këndvështrim për situatën Arbana-Ola

Profesionalizëm apo strategji…/Një këndvështrim

Nga Doreada Mio

Një fjalë e vetme e artikuluar në një reality show të transmetuar në prime time në një stacion televiziv, disa net më parë, mjaftoi për të dominuar rrjetet sociale. Ajo që do të kishte qenë një ofendim i zakonshëm në çdo kontekst tjetër, në televizion merr tjetër ngarkesë.

Në të folurën e përditshme, fjalë si “kuçkë” apo të tjera që fillojnë me “k” nuk përdoren gjithmonë si fyerje e drejtpërdrejtë. Shpesh ato qarkullojnë në formë ironie, madje edhe si një lloj afrimiteti mes grave, një mënyrë lozonjare për të përshkruar njëra-tjetrën. Një fenomen i ngjashëm shihet në kulturën pop globale, ku fjala “bitch” është ri-përvetësuar në tekste muzikore për të përshkruar një figurë femërore të fortë, të pavarur, “të shkathët”.(P.sh Bitch/Mereddith Brooks… I'm a bitch, I'm a lover I'm a child, I'm a mother I'm a sinner, I'm a saint I do not feel ashamed…)

Ajo që ra në sy nuk ishte vetëm fjala. Ishte mënyra si u menaxhua. Moderatorja zgjodhi qetësinë. Një qetësi që, në pamje të parë, mund të lexohet si profesionalizëm: kontroll emocional, shmangie e përshkallëzimit, ruajtje e ritmit të formatit. Por, në logjikën e televizionit modern, qetësia është shpesh edhe strategji. Sepse konflikti nuk shuhet, ai administrohet dhe, sa më shumë të zgjasë, aq më shumë prodhon vëmendje.

Formatet reality show jetojnë me filozofinë “kush e kapi prime-n”, pra me sa më shumë momente që diskutohen jashtë ekranit. Një reagim i fortë do ta kishte mbyllur tensionin aty. Një reagim i përmbajtur e zgjat jetën e tij në rrjetet sociale. E bën më të riciklueshëm, më të klikueshëm. Ndërkohë, publiku mbetet në dilemë: të dënojë gjuhën apo të shijojë spektaklin që ajo prodhon.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që qetësia e moderatores ishte e kalkuluar në mënyrë cinike. Por do të thotë që kufiri midis etikës dhe audiencës është bërë i paqartë.

Në fund, nuk kemi thjesht një fjalë problematike. Kemi një fjalë që ndryshon kuptim sipas kontekstit dhe një media që di shumë mirë si ta shfrytëzojë këtë paqartësi.

P.S. Personalisht jam kundër normalizimit të gjuhës denigruese në ekran, sidomos në dimensionin gjinor të fyerjes. Në këtë histori, roli i moderatores nuk ishte vetëm personal. Moderatorët janë kufiri i fundit i ekranit me publikun. Gjuha e qetë, tolerimi, reagimi paqësor i moderatores janë një sinjal edukate dhe qytetarie për publikun,  larg dhunës dhe kjo vlen të nënvizohet.