Ndarja mes moderatores Neda Balluku dhe bashkëshortit të saj, Ogren Balluku, vëllai i zv/kryeministres Belinda Balluku, vijon të shoqërohet me zhvillime në rrugë ligjore. Të dyja palët i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës me pretendime për dhunë, duke ngritur akuza të ndërsjella. Më 16 janar 2026, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë lëshoi një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje në favor të Neda Ballukut, pas kallëzimit të saj për dhunë nga bashkëshorti.
Pak ditë më vonë, Ogren Balluku paraqiti një kërkesë të veçantë për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, duke deklaruar se ishte viktimë e dhunës së vazhdueshme verbale dhe psikologjike nga bashkëshortja e tij, si dhe duke pretenduar raste të izoluara dhune fizike. Në dëshminë e dhënë para gjykatës, ai pohon se është ofenduar dhe kërcënuar në mënyrë të përsëritur, se është ndjerë i përndjekur dhe se kjo situatë ka ndikuar negativisht edhe te fëmijët e tij, të cilët, sipas tij, janë përballur me presion psikologjik në ambientet shkollore.
Dëshmia e Ogren Ballukut: “Kam pasur shqetesime te vazhdueshme nga bashkeshortja ime Neda Balluku dhe do te kerkoj te pajisem me Urdher te Menjehershem Mbrojtje per vete dhe djalin tim.… Jam i dhunuar verbalisht me fjalet me te ulta qe mund ti thuhen nje njeriu si (ordiner, hajdut, kriminel, kafshe, etj.)… Me kercenon verbalisht me fjalet do te bej te vrasesh veten, do prekesh fundin, mos gjetsh varr… Une dhe dy djemte e mi jemi te pergjuar ne shtepine tone… Diten e premte me date 16.01.2026 te dy djemt jane perballur me dhune psikologjike ne ambjentet e shkolles “Viktor Hygo”…”.
Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata e Tiranës vendosi rrëzimin e saj, duke mos pranuar lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes në favor të Ogren Ballukut.
Nga ana tjetër, Neda Balluku ka deklaruar se ish-bashkëshorti e pengon në mënyrë të paligjshme të takojë fëmijët, e largon nga banesa dhe e fyen në prani të tyre. Sipas saj, ai po përpiqet t’i ndikojë fëmijët emocionalisht dhe t’i kthejë kundër saj.
Çështja vijon të jetë në trajtim nga organet e drejtësisë, ndërsa pritet vijimi i procedurave ligjore për sqarimin e plotë të pretendimeve të ndërsjella dhe marrjen e vendimeve përkatëse.

