Ish-banorja e “Big Brother VIP”, Alexandra, ka bërë një rrëfim të ndjerë në një intervistë të fundit, ku ka folur hapur për jetën personale, martesën dhe marrëdhënien e vështirë që ka aktualisht me prindërit e saj.
Ajo ka treguar se raporti mes tyre është ftohur ndjeshëm dhe se komunikimi ka munguar prej kohësh, si pasojë e ndërhyrjeve që prindërit kanë pasur në problemet e saj martesore. Sipas Alexandrës, këto ndërhyrje kanë shkaktuar tensione të forta dhe kanë sjellë një distancë të madhe emocionale, deri në pikën që sot nuk flasin më me njëri-tjetrin.
“Kanë ndërhyrë në mosmarrëveshjet që kam pasur me burrin. Nuk i kam qejf njerëzit kur ndërhyjnë në jetën time. Jemi zënë shumë keq dhe nuk flasim,” është shprehur ajo, duke shtuar se është një natyrë kokëfortë dhe se, kur mendon se nuk ka gabim, nuk tërhiqet lehtë.
Alexandra thekson se situata e prek shumë emocionalisht, pasi lidhja me prindërit, veçanërisht me nënën, mbetet e pazëvendësueshme. Megjithatë, ajo shprehet se ka nevojë për kohë dhe qetësi përpara se të rikthejë dialogun.
Ajo ka zbuluar gjithashtu se pas daljes nga “Big Brother VIP”, prindërit kanë tentuar ta kontaktojnë përmes mesazheve, por ajo ka zgjedhur të mos reagojë menjëherë. “Jam një person që fal, por i jap kohë vetes,” tha Alexandra, duke theksuar se ndonëse është e lënduar, mbetet e fortë.
Sot, mbështetjen më të madhe emocionale ajo thotë se e gjen te fëmijët e saj, me të cilët ka një lidhje shumë të ngushtë. Sipas saj, prindërit vazhdojnë të takohen me fëmijët, çka e mban ende të hapur mundësinë për një pajtim në të ardhmen.

