Situata e krijuar së fundmi brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Kosova”, ku afrimiteti mes Albës dhe Limit pas ndarjes së këtij të fundit nga Dolce u komentua gjerësisht jashtë lojës, ka sjellë reagimin e familjarëve të banores.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, familja e Albës ka dalë hapur në mbrojtje të saj, duke kërkuar ndalimin e gjykimeve dhe sulmeve të ashpra. Ata theksojnë se çdo vendim që Alba merr brenda formatit do të respektohet dhe mbështetet pa kushte, duke nënvizuar se ajo po vepron me ndershmëri dhe në përputhje me ndjenjat e saj.
“Nuk është e drejtë që një vajzë të gjykohet kaq ashpër brenda një formati që nuk ka synim edukimin, por pasqyrimin e realitetit,” thuhet në reagim, ku bëhet thirrje për më shumë empati ndaj gjendjes emocionale dhe izolimit që përjetojnë banorët.
Familja ka reaguar gjithashtu ndaj kritikave që lidhen me afrimin e Albës me Limin, duke theksuar se ajo është e lirë të jetojë jetën e saj pa i dhënë llogari askujt. Sipas tyre, situata të tilla ndodhin edhe jashtë shtëpisë së BBVK dhe nuk duhet të shndërrohen në linçim publik.
Në përfundim, familjarët kanë falënderuar të gjithë ata që po e mbështesin Albën në rrugëtimin e saj drejt finales, duke e cilësuar përkrahjen e publikut si një vlerësim të çmuar për qëndrimin dhe lojën e saj në “Big Brother VIP Kosova”.

