Këngëtari Marko Bosnjak, që këtë vit përfaqësoi Kroacinë në Eurovision me këngën “Poison Cake”, ka vendosur të bëjë një pauzë nga rrjetet sociale. Arsyeja lidhet me presionin dhe urrejtjen që ai thotë se ka përjetuar kohët e fundit.
Në një mesazh prekës, Bosnjak pranoi se ka kaluar periudha të vështira me shëndetin mendor:
“Urrejtja, talljet dhe presioni më kanë çuar në pikën më të ulët. Shpesh kam menduar të dorëzohem, por jam ende këtu. Faleminderit atyre që më kanë mbështetur – më keni dhënë forcë më shumë sesa mendoni.”
Gjatë këtij pushimi, artisti ka zgjedhur të përqendrohet tek vetja dhe përfundimi i albumit të ri, të cilin e përshkruan si një pasqyrë të dhimbjes, por edhe të forcës për të mbijetuar.
Mesazhi i tij për ndjekësit ishte i qartë:
“Nuk jeni vetëm. Edhe kur duket e pamundur, historia juaj nuk ka mbaruar ende.”
Bosnjak theksoi gjithashtu se do të vazhdojë të luftojë kundër homofobisë dhe mizorisë, duke e parë ekzistencën e tij si një formë proteste. Së shpejti, ai planifikon të shpërngulet jashtë Kroacisë së bashku me partnerin e tij spanjoll, me të cilin jeton aktualisht në Zagreb.


