Bashkëshortja e këngëtarit Erik Lloshi, Romina, ka folur për herë të parë publikisht në emisionin “Fan Club”, duke hedhur poshtë aludimet se marrëdhënia e tyre është krisur për shkak të pjesëmarrjes së artistit në “Big Brother VIP”.
Romina u shpreh hapur se ka qenë kundër hyrjes së Erik Lloshit në reality show, duke theksuar se gjithmonë ka preferuar ta mbajë jetën personale larg vëmendjes mediatike. Sipas saj, ekspozimi publik dhe dinamika e lojës nuk përputheshin me karakterin dhe temperamentin e këngëtarit.
“Nuk kam qenë kurrë dakord që të futej në Big Brother. Jam larg televizionit dhe nuk e kam dashur këtë ekspozim. Kam dashur që jeta ime personale të mbetej private,” u shpreh Romina.
Ajo pranoi se Eriku ka një temperament të fortë dhe është gjaknxehtë, gjë që e kishte bërë edhe më skeptike ndaj pjesëmarrjes së tij në format. Megjithatë, Romina theksoi se këngëtari është një njeri i drejtë dhe se, sipas saj, shpesh portretizohet më agresiv nga sa është në të vërtetë.
Romina zbuloi gjithashtu se Eriku kishte marrë ftesa edhe më parë për të qenë pjesë e BBV, por ajo kishte qenë kategorikisht kundër. Këtë herë, vendimi i tij ishte i prerë, pavarësisht kundërshtimit të saj, çka kishte sjellë edhe tension mes tyre.
“I thashë se do të merrja valixhet dhe do të ikja në shtëpi,” tregoi ajo, duke lënë të kuptohet se situata ka qenë e vështirë emocionalisht.
Megjithatë, sot që Eriku është pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri, Romina thekson se e mbështet plotësisht, edhe pse nuk pajtohet me çdo sjellje të tij. “E mbështes totalisht, pa diskutim. Ka gjëra tek Eriku që më pëlqejnë shumë dhe disa që nuk i përkrah,” përfundoi ajo.
Deklarata e Rominës vjen për t’i dhënë fund spekulimeve për një krizë martesore, duke treguar se, pavarësisht mosmarrëveshjeve, mbështetja ndaj partnerit të saj mbetet e fortë.
