KreuCelebrity

Arrestohet 27-vjeçari që dyshohet se shpenzoi mbi 600 mijë euro nga karta e Johnny Depp

Arrestohet 27-vjeçari që dyshohet se shpenzoi mbi 600 mijë euro
Një skandal financiar që përfshin emrin e aktorit të njohur Johnny Depp ka çuar në arrestimin e një të riu në Hungari. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, autoritetet kanë vënë në pranga një 27-vjeçar nga Jordania, i cili dyshohet se ka përdorur për gati dy vite të dhënat bankare të aktorit për të realizuar qindra transaksione online.

Sipas hetimeve paraprake, pagesat janë kryer nga janari i vitit 2024 deri në fund të 2025-ës dhe përfshijnë rezervime hotelesh, blerje në internet dhe shpenzime të tjera dixhitale. Dëmi financiar mendohet të kalojë shifrën e 600 mijë eurove.

Rasti u zbulua pasi banka konstatoi lëvizje të pazakonta në një nga llogaritë e Johnny Depp dhe njoftoi menjëherë autoritetet. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se aktori nuk kishte dijeni për përdorimin e paautorizuar të kartës së tij.

Pas analizimit të gjurmëve dixhitale, përfshirë adresat IP, email-et dhe një numër telefoni të regjistruar në Hungari, policia arriti të identifikojë të dyshuarin, i cili u arrestua në Budapest në apartamentin që kishte marrë me qira.

Gjatë kontrollit në banesë, hetuesit sekuestruan pajisje elektronike që dyshohet se janë përdorur në mashtrim. Autoritetet raportuan gjithashtu se në apartament u gjetën substanca të dyshuara narkotike, duke hapur kështu edhe një hetim të dytë ndaj të riut.

27-vjeçari ka mohuar akuzat, ndërsa gjykata ka urdhëruar mbajtjen e tij në paraburgim deri në përfundimin e hetimeve. Ndërkohë, policia po punon për të zbuluar se si janë siguruar të dhënat bankare të aktorit dhe nëse persona të tjerë mund të jenë të përfshirë në këtë skemë.