
Pas më shumë se dy dekadash në arrati, autoritetet italiane kanë vënë në pranga dy vëllezërit nga Lushnja, Artur Mëhilli dhe Arben Mëhilli, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të ndodhur në vitin 1999.
Dyshja ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Lushnjës në vitin 2001 me 32 vite burg në total për vrasjen e Rezar Metaj, një krim që, sipas hetimeve, ishte kryer për hakmarrje. Dy vite më parë, në 1997, viktima kishte vrarë vëllanë e tyre, Sokol Mëhilli, dhe nuk ishte arrestuar, çka çoi në përshkallëzimin e konfliktit.
Menjëherë pas ngjarjes, vëllezërit u larguan drejt Italisë, ku për vite me radhë jetuan me identitete të rreme si Artur Davidhi dhe Arben Gjermeni – duke arritur madje të siguronin edhe dokumente qëndrimi.
Zbulimi i tyre erdhi pas një informacioni të siguruar nga autoritetet italiane, që ngriti dyshime për disa persona me identitete të paqarta. Në mungesë të gjurmëve të gishtërinjve në databazat shqiptare, hetuesit iu drejtuan teknologjisë së njohjes së fytyrës, duke krahasuar fotografi të vjetra me imazhet e siguruara nga Italia. Përputhja e tipareve konfirmoi identitetin e tyre si persona të shpallur në kërkim prej vitesh.
Në momentin e arrestimit, Artur Mëhilli ishte 60 vjeç, ndërsa Arben Mëhilli 54 vjeç. Në kohën e krimit, ata ishin përkatësisht 33 dhe 27 vjeç.
Ngjarja lidhet edhe me Stenaldo Mëhilli, gazetarin i njohur për publikun pas pjesëmarrjes në Big Brother VIP Albania, i cili ka rrëfyer më herët se babai i tij, Sokol Mëhilli, u vra kur ai ishte vetëm një muajsh.
Aktualisht, autoritetet shqiptare dhe ato italiane po bashkëpunojnë për përfundimin e procedurave të ekstradimit, në mënyrë që dy të arrestuarit të vuajnë dënimin në Shqipëri.
