KreuCelebrity

Angelina Jolie rrëfen pse u rikthye në aktrim: “Fëmijët më rikthyen forcën”

Angelina Jolie rrëfen pse u rikthye në aktrim:
Angelina Jolie ka treguar se për një periudhë seriozisht kishte menduar të largohej nga bota e aktrimit, duke e zhvendosur vëmendjen drejt regjisurës dhe angazhimeve humanitare.

Në një intervistë për “Variety”, ylli i Hollywood-it zbuloi se procesi i tërheqjes nga ekrani kishte nisur edhe përpara ndarjes nga Brad Pitt në vitin 2016. Megjithatë, me kalimin e viteve, ajo kuptoi se ritmi i angazhimeve të tjera e mbante larg familjes dhe fëmijëve të saj.

Sipas aktores, rikthimi para kamerave u bë mënyra më e përshtatshme për të ruajtur ekuilibrin mes jetës profesionale dhe asaj private. Ajo theksoi se tashmë zgjedh me kujdes projektet ku angazhohet, duke preferuar ato që i ofrojnë më shumë fleksibilitet dhe kohë pranë familjes.

Jolie foli edhe për periudhën e vështirë pas divorcit, duke pranuar se ajo ndikoi ndjeshëm në gjendjen e saj emocionale. Megjithatë, mbështetja e fëmijëve ka qenë vendimtare në rikthimin e energjisë dhe motivimit të saj.

“Për një kohë ndjeva se e kisha humbur atë forcë, por gradualisht po e rifitoj, kryesisht falë fëmijëve të mi”, u shpreh aktorja.

Ajo shtoi se tashmë fëmijët e saj janë rritur dhe e mbështesin plotësisht në angazhimet profesionale, duke e inkurajuar të udhëtojë dhe të vazhdojë karrierën që e ka bërë një nga emrat më të njohur të kinemasë botërore.