
Një valë e madhe zemërimi është krijuar në Argjentinë pasi në emisionin “El Show del Verano” të Luzu TV u transmetua gabimisht lajmi se Jorge Messi, babai i Lionel Messit, kishte ndërruar jetë.
Pas reagimeve të forta, familja Messi doli me një deklaratë zyrtare duke sqaruar se Jorge Messi po përballet me një gjendje serioze shëndetësore, ndodhet nën kujdes mjekësor dhe po reagon pozitivisht ndaj trajtimit. Në deklaratë theksohet gjithashtu se vetëm familjarët e afërt kanë informacion të saktë për gjendjen e tij dhe se çdo informacion tjetër që nuk vjen nga burime zyrtare nuk duhet konsideruar i vërtetë.
Edhe Lionel Messi reagoi i prekur emocionalisht pas një ndeshjeje, duke thënë se ka kaluar ditë të vështira për arsye personale jashtë futbollit.
Pas transmetimit, prezantuesja Florencia Peña kërkoi falje publike, duke pranuar se kishte përsëritur një informacion të paverifikuar të marrë gjatë transmetimit live nga ekipi i produksionit.
Ajo shprehu keqardhje për situatën e krijuar dhe theksoi se nuk kishte pasur qëllim të përhapte dezinformim, ndërsa më vonë dha dorëheqjen nga programi, duke marrë përgjegjësinë për incidentin.
