
Biznesmenja vietnameze Truong My Lan po humbet një pjesë të madhe të pasurisë së saj, ndërsa autoritetet vazhdojnë përpjekjet për të rikuperuar miliarda dollarë të humbur në atë që konsiderohet një nga skandalet financiare më të mëdha në historinë e Vietnamit.
Lan, e dënuar me dy burgime të përjetshme për përfshirjen e saj në çështjen e Saigon Commercial Bank, u shpall fajtore për pastrim parash dhe mashtrim financiar në një skemë që shkaktoi humbje prej dhjetëra miliarda dollarësh. Edhe pse ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2025 i mundësuan të shmangte dënimin me vdekje, ajo ende përballet me detyrime financiare që kapin vlerën e mbi 27 miliardë dollarëve.
Për të kompensuar viktimat e skandalit, autoritetet kanë nisur shitjen e një sërë asetesh të saj përmes ankandeve publike. Në mesin e tyre janë prona të vlefshme, automjete luksoze dhe aksesorë të markave të njohura.
Së fundmi, dy çanta të rralla Hermès janë shitur për afro 539 mijë dollarë. Mediat raportojnë se Truong My Lan kishte shprehur dëshirën që këto sende të mbeteshin pjesë e trashëgimisë familjare për fëmijët dhe nipërit e saj, por ato përfunduan të sekuestruara dhe të përfshira në procesin e shitjes.
Ndërkohë, autoritetet vietnameze vijojnë të gjurmojnë dhe të likuidojnë pasuritë e mbetura, me qëllim rikuperimin e sa më shumë fondeve për mijëra personat e prekur nga skandali që tronditi sistemin financiar të vendit.
