Më 15 qershor u nda nga jeta një nga emrat më të spikatur të mjekësisë shqiptare, pediatri, neonatologu dhe pedagogu Edi Tushe. Largimi i tij shkaktoi dhimbje të madhe në komunitetin mjekësor, ndërsa puna dhe përkushtimi i tij shumëvjeçar lanë një ndikim të jashtëzakonshëm në kujdesin ndaj të porsalindurve dhe edukimin e brezave të rinj të profesionistëve të shëndetësisë.
Për të kujtuar figurën dhe veprën e tij, këtë të enjte në emisionin “Rudina” ishte e ftuar mjekja e laboratorit Genta Dedej, e cila për më shumë se 10 vite ka punuar krah profesor Edi Tushes, e cila ndau emocione, kujtime dhe vlerësime për njeriun që, sipas saj, la pas një trashëgimi të çmuar profesionale dhe njerëzore.
Dedej theksoi se mesazhi më i madh që ka marrë nga profesor Tushe ishte që t’i kalonte situatat e vështira dhe të jepte më të mirën në punën e saj si mjeke.
“Kur diskutonim dhe unë kontestoja situata të caktuara që ndodhin në jetën e përditshme, sepse normalisht nuk është fushë me lule, dhe më thoshte gjithmonë: ‘Genta, mos u mërzit. Njerëzit gjithmonë kanë diçka që nuk i bën të kënaqur, por ne duhet të japim gjithmonë më të mirën, sepse një njeri që është i pakënaqur, ne nuk duhet ta mendojmë si konflikt personal, por mund të jetë një situatë e tij psikologjike që ai e mbart dhe e shfryn në momentin që takohet me mjekun sidomos, i cili ka shumë probleme për mënyrën sesi ai vlerësohet në Shqipëri për shërbimin e vet’. Thoshte gjithmonë: ‘Kaloje dhe jep më të mirën, sepse do të vijë dita që do të kërkojnë falje’. Ky është mesazhi më i madh dhe mësimi që unë kam marrë prej tij.”
Përsa i përket një konflikti i cili mori edhe vëmendje mediatike mes profesor Edi Tushe dhe një personazhi të njohur në vend, mjekja pohoi se çështja nuk arriti në gjyq falë mëshirës së doktorit për të mos krijuar shqetësime në familjen e saj.
“Nuik dua t’i jap fare rëndësi këtij konflikti, i cili u bë shumë agresiv në nivel mediatik, ku mediat kërkojnë lajm dhe këtë lajm më pas e fryjnë dhe e riciklojnë për të rritur audiencën. Në fakt, edhe në këtë moment, doktori tregoi sesa i madh, vizionar dhe shpirtmirë ishte ai. Në momentin që kemi qenë në zyrën e avokatit duke firmosur dosjen që do të shkonte në gjyq, ai më ka ndaluar dorën dhe më tha: ‘Jo Genta, ne nuk do ta bëjmë këtë gjyq, sepse unë mendoj jo për atë si person, por mendoj për fëmijët e saj, të cilët i kam rritur, i kam vizituar, i kam shëruar dhe unë nuk do ta çoj këtë çështje në gjyq’ dhe doktori e mëshiroi në emër të dashurisë që ai kishte për fëmijët dhe në emër të atyre dy fëmijëve ai u tërhoq, duke menduar që gjesti i tij do të kuptohej si një gjest shumë i madh, jo nga ai person, por nga fëmijët. Ai mendoi që fëmijët të rriteshin të qetë në një familje pa konflikte dhe pa interes.”
Sipas Dedejt, anatemimi që iu bë doktorit, përfshiu klinikën dhe vetë mjeken Genta Dedej.
“Personi në fjalë u përpoq të hidhte baltë mbi figurën e doktorit dhe të klinikës dhe ishte një moment shumë i shëmtuar, i cili në fakt ne na habiste përse ndodhte kjo gjë, sepse në fund të fundit ne po kërkonim të mbronim shëndetin e foshnjave në mënyrë profesionale, duke mos përdorur emrin e doktorit për t’u bërë publike një person, e cila kishte interesat e veta për ta çuar këtë çështje në forma të tjera pa lejen dhe dijeninë e doktorit.”
Mjekja gjithashtu pohoi se doktor Edi Tushe shpresoi që ky personazh publik do t’i kërkonte falje për të gjithë situatën e krijuar.
“Doktori e ndaloi dosjen duke menduar për fëmijët e saj dhe shpresoi që një ditë ajo nënë do të reflektonte dhe do t’i kërkonte falje doktorit për gjithë baltën që ajo u përpoq të hidhte mbi doktorin, por që në fakt ia hodhi vetes.”
