
Turistët që duan të afrohen pranë Shatërvanit të Trevit në Romë së shpejti do të duhet të paguajnë një tarifë prej dy eurosh. Kështu ka deklaruar këtë të premte kryebashkiaku i qytetit, ndërsa autoritetet synojnë të përfitojnë më shumë nga atraksionet e shumta të Italisë.
Kryebashkiaku Roberto Gualtieri u tha gazetarëve se sistemi i ri i pagesës do të nisë më 1 shkurt, duke shtuar se masa pritet të sjellë 6.5 milionë euro në vit.
“Dy euro nuk janë shumë… dhe kjo do të çojë në flukse turistike më pak kaotike,” tha Gualtieri, duke theksuar se qytetarët e Romës do të vazhdojnë të kenë hyrje falas te shatërvani, citon Reuters.
Turistët do të duhet të paguajnë nëse duan të ngjiten në shkallët prej guri që rrethojnë pellgun e shatërvanit, ndërsa sheshi i vogël përreth që ofron pamje të monumentit do të mbetet i hapur për të gjithë.
Shatërvani i Trevit, ku sipas traditës vizitorët hedhin një monedhë në ujë për të garantuar kthimin e tyre në Romë, ka qenë prej kohësh një atraksion i madh turistik, madje edhe për liderë botërorë që vizitojnë qytetin.
I përfunduar në vitin 1762, monumenti është një kryevepër e vonë e stilit barok që paraqet Oceanusin, perëndinë e të gjitha ujërave, dhe simbolizon gjendjet e ndryshme të deteve dhe lumenjve të botës.
Ai ka pritur nëntë milion vizitorë vetëm këtë vit, tha Gualtieri, duke sugjeruar se pret që shumë njerëz në të ardhmen të zgjedhin ta shohin shatërvanin nga larg, në vend që të paguajnë për t’u afruar pranë ujit.
-
Horoskopi ditor, e shtunë 20 dhjetor 2025
20 Dhjetor, 09:50 -


