KreuBusull

Kaos dhe përplasje në seancën e fundit plenare të vitit: opozita bllokon Kuvendin, mazhoranca voton e vetme!

Kaos dhe përplasje në seancën e fundit plenare të vitit:

Pak ditë para protestës së paralajmëruar të 22 dhjetorit, Partia Demokratike riktheu tensionet në Kuvend, duke e kthyer seancën e fundit plenare të këtij viti, më 18 dhjetor 2025, në një skenë kaosi dhe përplasjesh të forta.

Situata u përshkallëzua që para nisjes së seancës, kur deputetët e opozitës zunë karriget e ministrave, duke u përplasur fizikisht me efektivët e Gardës së Republikës. Flakadanët, tymueset, hedhja e ujit dhe shisheve drejt foltores shoqëruan zhvillimet në sallë.

Konflikti agravoi deri në përplasje fizike mes deputetëve, duke sjellë përjashtimin nga seanca të Flamur Nokës dhe Klevis Balliut. Ky i fundit u përjashtua pasi hodhi sende në drejtim të Endrit Shabanit, i cili po betohej si Avokat i ri i Popullit.

Pavarësisht kaosit, kryeparlamentari Niko Peleshi lexoi formulën e betimit të Endrit Shabanit mes thirrjeve “Dil përjashta”, zhurmës dhe ndërhyrjeve të Gardës, duke e bërë këtë betim një nga më të pazakontët në historinë e Kuvendit. Vetë Shabani reagoi me qetësi ndaj incidentit, duke iu përgjigjur provokimeve me gjeste ironike.

Seanca u ndërpre për shkak të tensioneve, por pas rinisjes së saj, Taulant Balla, në emër të grupit parlamentar të PS-së, kërkoi kalimin direkt në votim. Mazhoranca miratoi e vetme 11 projektligje dhe aktet normative, në kohë rekord, duke mbyllur kështu sesionin parlamentar mes përplasjeve dhe akuzave të forta politike.

Seanca e 18 dhjetorit u shënua si një nga më kaotiket e viteve të fundit, duke reflektuar klimën e acaruar politike në prag të protestave të paralajmëruara nga opozita.