KreuBusull

Pasagjerja përjashtohet nga fluturimi në Sofie për shkak të bagazhit/ Ryanair në qendër të kritikave

Pasagjerja përjashtohet nga fluturimi në Sofie për shkak të
Një incident i pazakontë ka ndodhur në aeroportin e Sofies në Bullgari, ku një pasagjere nuk u lejua të udhëtonte me linjën ajrore Ryanair drejt Vjenës, për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi madhësinë e bagazhit të dorës.

Sipas dëshmitarëve, stafi i Ryanair argumentoi se çanta e udhëtares ishte më e madhe se përmasat e lejuara dhe kërkoi pagesë shtesë për të. Gruaja refuzoi të paguante, duke këmbëngulur se bagazhi ishte në përputhje me rregulloren dhe duke e vendosur atë në kornizën matëse për ta dëshmuar. Megjithatë, përpjekja e saj nuk u mor parasysh dhe ajo u përjashtua nga fluturimi.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku përdoruesit kanë kritikuar ashpër Ryanair për qasjen e rreptë dhe, sipas tyre, shpeshherë të padrejtë ndaj pasagjerëve.

Disa komente e kanë cilësuar sjelljen e stafit si të pashpirt dhe jo profesionale, ndërsa të tjerë kanë ngritur pyetje për transparencën dhe fleksibilitetin e politikave të linjës ajrore për bagazhet e dorës.

Për më tepër, dëshmitarët thonë se stafi ka kërcënuar edhe pasagjerët e tjerë, duke u thënë se fluturimi mund të anulohej nëse nuk hipnin menjëherë në autobusin që të çonte drejt avionit.

Ryanair ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me rastin, por situata ka ndezur edhe njëherë debatin mbi mënyrën se si kompanitë low-cost trajtojnë klientët e tyre dhe rëndësinë e komunikimit të qartë dhe respektues në raste të tilla.