
Sllovenia ka miratuar zyrtarisht vetëvrasjen e asistuar, pas një referendumi ku shumica e qytetarëve votuan në favor të këtij vendimi.
Ligji u kalua në parlament me 50 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenime.
Sipas legjislacionit të ri, personat që vuajnë nga një sëmundje e pashërueshme, janë në gjendje mendore të qëndrueshme dhe përballen me dhimbje të padurueshme, do të kenë të drejtën t’i japin fund jetës së tyre në mënyrë të asistuar. Megjithatë, personat që vuajnë nga sëmundje mendore përjashtohen nga ky ligj.
Ligji kërkon që të gjitha alternativat e trajtimit të jenë shteruar përpara se të merret një vendim i tillë. Eutanazia – domethënë vdekja e shkaktuar drejtpërdrejt nga një mjek ose infermier – mbetet e ndaluar.
Deputetja Theresa Novak nga Partia Liberale në pushtet deklaroi:
“Do të ishte joetike që mjekësia t’u mohojë njerëzve të drejtën për të vdekur me dinjitet, nëse nuk ka më ndihmë të mundshme për ta.”
Nga ana tjetër, Partia Demokratike (SDS) e udhëhequr nga ish-kryeministri Janez Janša e kundërshtoi ashpër ligjin, duke e cilësuar si një hap drejt “një kulture të vdekjes dhe zhvlerësimit të jetës njerëzore, sidomos për më të dobëtit”.
Referendumi i mbajtur më parë tregoi se rreth 55% e votuesve ishin pro legalizimit të vetëvrasjes së asistuar.
Krahas Sllovenisë, edhe Zvicra dhe Austria e lejojnë këtë praktikë, ndërsa eutanazia është e legalizuar në vende si Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu.
