Të paktën 279 trupa ose mbetje njerëzore u dërguan në spital nga fluturimi fatal i “Air India”. Viktimat janë pasagjerë, anëtarë të ekuipazhit dhe njerëz që ndodheshin te ndërtesat ku u përplas avioni. Në të njëjtën kohë, hetuesit gjetën një nga dy të ashtuquajturat “kuti të zeza” të avionit (regjistruesi i të dhënave të fluturimit) nga rrënojat dhe aktualisht po vazhdojnë kërkimet e tyre në vendin e katastrofës për të gjetur të dytën (regjistruesi i zërit në kabinën e pilotit).
Ndërkohë, hetuesit po përpiqen të kuptojnë se çfarë e shpëtoi të mbijetuarin e vetëm nga rrëzimi i aeroplanit.
Fluturimi 171 i “Air India” u rrëzua disa sekonda pas ngritjes në orën 13:19 (ora lokale; 11:09 e paradites ET) gjatë rrugës për në Aeroportin Gatëick të Londrës, sipas Autoritetit Indian të Aviacionit Civil. Pilotët dërguan një sinjal alarmi ndërsa avioni po ngrihej nga pista, përpara se të humbiste lartësinë dhe të përplasej në një lagje në qytetin e Ahmedabadit shumë afër aeroportit, duke goditur, ndër të tjera, një qendër që strehonte mjekë dhe studentë mjekësie nga një spital fqinj, si dhe anëtarë të familjeve të tyre.
Boeing 787 mbante 230 pasagjerë – 169 shtetas indianë, 53 britanikë, 7 portugezë, 1 kanadez – dhe një ekuipazh prej 12 anëtarësh. Kjo katastrofë ajrore është konsideruar si ndër më të këqijat e regjistruara në botë që nga viti 2000.
Britaniku me origjinë indiane, i mbijetuari i vetëm
Vetëm një nga pasagjerët – një britanik me origjinë indiane, sipas BBC – i ulur në pjesën e përparme të trupit të avionit, mbijetoi mrekullisht dhe u nxor i plagosur nga rrënojat e 787, një aeroplan 57 metra i gjatë me një hapje krahësh prej 60 metrash.
Në fakt, një video që qarkullon në të gjitha mediat fiksoi të mbijetuarin e vetëm të rrëzimit të avionit në Indi, ndërsa largohet në këmbë nga vendi i rrëzimit.
Pasi avioni goditi ndërtesat rreth 30 sekonda pas ngritjes, 40-vjeçari Vishwash Kumar Ramesh mendoi se kishte vdekur, por shumë shpejt e kuptoi që ishte gjallë dhe pa plagë në trup. “Arrita të zgjidhja rripat e sigurimit, shtyva diçka me këmbë dhe dola jashtë duke u zvarritur”, tha ai. Nuk ishte e qartë nëse hapja ishte dera apo një çarje në trupin e avionit.
“Avioni ishte mjaft lart kur goditi ndërtesat”, tha për Guardian Cable, një ish-hetues i lartë i aksidenteve ajrore në Degën e Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Britanisë . “Ndoshta u shkatërrua në një zonë të trupit të avionit pranë këtij djali dhe për fat të mirë ai u nxor jashtë pa lëndime serioze”, vijon ai.
Si doli ai duke ecur?
Sedilja e Rameshit kishte hapësirë gjë që i krijoi atij më shumë mundësi shpëtimi. Kjo gjithashtu mund të nënkuptohet që, ndërsa pasagjerët përpara tij mund të jenë shtypur ndërmjet sediljeve nga përplasja, ai e shmangu atë fat tragjik, tha Profesor John McDermid, kryetar i sigurisë në Lloyd’s Register në Universitetin e Jorkut.
“Dyshimi im është se për shkak të natyrës së goditjes, ai ndodhej në një pikë të fortë të aeroplanit, në skajin kryesor të krahut”, shtoi ai. “Nuk është vetëm trupi i avionit, por edhe struktura shtesë e krahut për t’u mbrojtur nga shtypja e trupit të avionit”, thotë ai.
“Është e mundur që goditja ta ketë hapur derën dhe ai arriti ta shtynte me shkelm dhe të dilte jashtë”, tha John McDermid. “Dera e jashtme ishte pikërisht përpara tij, kështu që nuk kishte shumë larg për të shkuar deri aty”, vijon profesori McDermid.
Por, përpara se Rameshi të mendonte për këtë veprim që do t’i shpëtonte jetën, ai duhej të ishte mjaftueshëm me fat për t’i mbijetuar pasojave të aksidentit tragjik.
Tre arsyet që e ndihmuan 40-vjeçarin të dilte i gjallë nga katastrofa
“Nëse keni para syve një aksident si ky, ku një avion i mbushur me karburant bën një ulje emergjente nga aeroporti në ambientin me ndërtesa, nuk ka gjasa që të jetë një aksident nga i cili dikush të mbijetojë”, tha profesori Ed Galea, një ekspert për sigurinë nga zjarri dhe evakuimin në Universitetin e Greenwich. “Fakti që dikush ka mbijetuar është një mrekulli”, tha ai.
Duket se ai ka qenë me fat për tre arsye:
a) i mbijetoi traumës së goditjes fillestare,
b) nuk u lëndua rëndë dhe
c) ai ishte ulur menjëherë pranë daljes nr. 2 të avionit.
Ed Galea ka kryer më parë një kërkim mbi aksidentet ajrore, i cili zbuloi se, në aksidentet më pak katastrofike, njerëzit që ulen brenda pesë rreshtave nga një dalje funksionale kanë një shans më të mirë për të mbijetuar se sa për të vdekur, ndërsa ata që ulen më larg se pesë rreshta kanë një shans më shumë për të vdekur. Ai tha se gjithmonë përpiqet të rezervojë një vend brenda pesë rreshtave nga një dalje emergjence.
Mund të shpëtoheshin edhe shumë të tjerë?
Ed Galea tha se pasagjerë të tjerë mund të kishin mbijetuar nga përplasja, por ishin shumë të lënduar për t’u evakuuar ose nuk ishin mjaftueshëm afër një daljeje. Pasagjerët mund të kenë goditur kokën te sediljet dhe kanë humbur ndjenjat. Ramesh nuk kishte sedilje të tjera para tij.
“Struktura e aeroplanit mund t’i ketë dhënë një shans mbijetese. Rameshit iu desh të vepronte shpejt për të përfituar nga kjo mundësi”, tha McDermitt. “Nëse nuk do të kishte dalë brenda pak sekondash, do të kishte qenë e pamundur që ai të kishte mbijetuar për shkak të shpërthimit të zjarrit”, shtoi ai.



















