
Menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit, motorët e Boeing 787 të Air India i cili u rrëzua më 12 qershor, nuk u ndalën për shkak të një defekti, por u fikën.
Dhe kur kjo ndodhi, njëri nga pilotët i tha tjetrit: "Pse i ndale?" – duke marrë si përgjigje: "Nuk i kam ndalur unë."
Ky detaj gjendet në faqen 14 të raportit paraprak të hetimit që autoritetet indiane publikuan mbrëmjen e vonë të 11 korrikut. Një dokument që ngre shumë pikëpyetje, por që për herë të parë përkufizon shkakun kryesor të asaj që ndodhi në kabinë.
Siç ka treguar Corriere, dy burime të njohura me hetimet shpjegojnë se fikja e motorëve është kryer nga dikush brenda kabinës.
Sipas të dhënave të regjistruara nga “Flight Data Recorder”, një nga dy kutitë e zeza, rezulton se të dy ndërprerësit që kontrollojnë rrjedhën e karburantit drejt motorëve janë zhvendosur nga “Run” në “Cutoff” me një interval prej një sekonde, duke bllokuar kalimin e karburantit dhe fikur motorët.
