
Një nga ritualet më të lashta dhe më të dashura të kulturës sonë, Dollia Shqiptare, është shpallur zyrtarisht Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale. Ky vlerësim i jep këtij akti simbolik dhe shpirtëror vendin që meriton në trashëgiminë tonë kulturore, duke e njohur si një institucion të mikpritjes, nderimit dhe bashkimit ndër shqiptarë.
Në librin “Dollia Shqiptare – Institucion shpirtëror i mikpritjes”, profesori Sherif Bundo sjell me përkushtim dhe dashuri thellësinë shpirtërore të këtij riti, duke e paraqitur dollinë jo thjesht si një ngritje gote, por si një kod nderi dhe respekti në sofrën shqiptare. Fjalët si “të paça”, “të gjetë e mira”, “të pifsha dollinë” nuk janë thjesht urime, por pasuri të gjuhës dhe shpirtit tonë.
Sipas profesor Bundos, aty ku ka dolli, ka edhe këngë polifonike, duke e lidhur këtë rit me një ndër format më të pastra të shprehjes së shpirtit kolektiv shqiptar.
Kjo njohje zyrtare përbën një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes, promovimit dhe nderimit të vlerave tona më të mira kulturore, duke rikujtuar se traditat që lindin nga shpirti i një populli janë thesaret më të vyera të tij.
