KreuArt

Iso-polifonia shqiptare në Hollywood, tingujt e Labërisë bëhen pjesë e filmit “The Odyssey” të Christopher Nolan

Trashëgimia muzikore shqiptare do të ketë një vend të veçantë në një prej prodhimeve më të mëdha kinematografike të viteve të fundit. Tingujt e iso-polifonisë labe dhe instrumenteve tradicionale të barinjve shqiptarë janë përdorur si frymëzim për kolonën zanore të filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan.

Kompozitori fitues i çmimit “Oscar”, Ludwig Göransson, ka zbuluar se gjatë punës për muzikën e filmit udhëtoi drejt jugut të Shqipërisë, ku qëndroi për rreth një javë për të regjistruar tinguj autentikë të traditës shqiptare.

“Shkova në jug të Shqipërisë dhe kalova një javë duke regjistruar një stil të lashtë të të kënduarit, të quajtur iso-polifoni, të cilin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë në një film”, është shprehur kompozitori në një rrëfim të publikuar nga “New York Magazine” dhe “Vulture”.

Göransson, i njohur për bashkëpunimet e tij të mëparshme me Nolan në filmat “Tenet” dhe “Oppenheimer”, ishte në kërkim të tingujve që do të përcillnin atmosferën e lashtësisë dhe natyrën e papërpunuar të botës së përshkruar në poemën epike të Homerit.

Përveç iso-polifonisë shqiptare, kompozitori regjistroi edhe instrumente tradicionale të përdorura prej shekujsh nga barinjtë në zonat jugore të vendit.

“Regjistruam fyellin që barinjtë shqiptarë e kanë luajtur prej mijëra vitesh”, ka treguar Göransson, duke ndarë edhe një detaj të veçantë nga puna në terren.

Sipas tij, regjistrimet duhej të përfundonin çdo ditë përpara orës 18:00, pasi interpretuesit duhej të zgjoheshin rreth orës 04:00 të mëngjesit për t’u kujdesur për bagëtitë e tyre.

Për muzikën e “The Odyssey”, Nolan kërkonte të shmangte kolonat zanore tradicionale me orkestrime të mëdha dhe instrumente të fuqishme frymore, që përdoren zakonisht në filmat historikë. Synimi ishte krijimi i një tingulli më material dhe më organik, i cili do ta afronte publikun me atmosferën e Epokës së Bronzit.

Iso-polifonia shqiptare, e njohur nga UNESCO si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, do të udhëtojë kështu përtej kufijve, duke u bërë pjesë e një spektakli të madh të Hollywood-it.

“The Odyssey”, i bazuar në veprën e pavdekshme të Homerit, është një prej projekteve më ambicioze të Christopher Nolan. Filmi ka mbledhur disa prej emrave më të njohur të kinemasë, me Matt Damon në rolin kryesor, ndërsa buxheti i prodhimit raportohet se arrin në rreth 250 milionë dollarë.

Përfshirja e tingujve tradicionalë shqiptarë në kolonën zanore i jep një jehonë ndërkombëtare një prej pasurive më të rëndësishme të kulturës sonë, duke e sjellë iso-polifoninë labe në skenën e madhe të kinematografisë botërore.