Këtë vit Java e Modës në Kosta Rika, që mbahet më 24 gusht, do t’i kushtojë një hapësirë të rëndësishme një kauze tejet globale siç është ajo e ndalimit të dhunës ndaj gruas. Biznesmeni dhe aktivisti i njohur shqiptar Elton Ilrijani ka marrë nga organizatorët e eventit një ftesë ekskluzive për të qenë ai që do të çelë Javën e Modës në Kosta Rika.
I njohur për nismat e marra si aktivist në kauza të ndryshme, Ilirjani do të jetë pjesë e hapjes së shfaqjes së madhe të modës, përkrah Fedras, një aktore e mirënjohur nga Kosta Rika që do mbajë një fjalim për ndalimin e dhunës ndaj gruas, nën sloganin ‘Stop Femicides’. Nuk do të jetë vetëm një parakalim në pasarelë kjo për Ilirjanin, por një solidarizim me të gjitha gratë e pamundura, të dhunuara, e të vrara në të gjithë globin.
Axhenda e Elton Ilirjanit më tej do të vijojë të jetë tejet e ngjeshur duke qenë se është i ftuar në dhjetëra vende anembanë botës për të marrë pjesë në Javët e Modës që mbahen në metropolet e famshme për prezantimin e koleksioneve Pranverë/ Verë 2025. Duke nisur me Costa Rikën që nis këtë javë, influenceri Elton Ilirjani do të bëjë një trajektore mirëfilli globale nga Japonia, Korea e Jugut, Paris, Milano, Miami. Mandej në Tetor do të jetë i ftuari special në eventin e bukurisë Miss Globe që mbahet në kryeqytetin shqiptar në Tiranë.