KreuStil Jetese

Nuk është vetëm nata! Ja si dita juaj dhe ushqimi mund të përmirësojnë gjumin

Nuk është vetëm nata! Ja si dita juaj dhe ushqimi mund të

Sekreti i një gjumi të mirë nuk fillon gjithmonë kur fikim dritat në darkë shpesh ai fillon gjatë ditës. Shumë këshilla për gjumë fokusohen tek rutina e natës, si respektimi i një ore të rregullt për të fjetur apo shmangia e telefonit në shtrat. Por mënyrat se si e kalojmë ditën mund të ndikojnë ndjeshëm në energjinë tonë dhe cilësinë e gjumit.

Ja këshillat që mund t’ju ndihmojnë të ndjeheni më të freskët dhe të përmirësoni gjumin, pa prekur domosdoshmërisht orarin e natës:

1. Kontrolloni nivelin e hekurit
Rreth një e treta e njerëzve në botë kanë nivele të pamjaftueshme hekuri. Grupet më të rrezikuara janë foshnjat, fëmijët e vegjël, vajzat dhe gratë e moshës riprodhuese (për shkak të humbjes së gjakut gjatë menstruacioneve), shtatzënat, sportistët, vegetarianët dhe donatorët e shpeshtë të gjakut. Një mungesë hekuri ose anemia e lidhur me të mund të shkaktojë lodhje, mungesë energjie, por edhe zgjim të shpeshtë gjatë natës.

Nëse ndiheni të lodhur pavarësisht ndryshimeve në gjumë, mund të jetë e vlefshme të konsultoheni me mjekun për testimin e ferritinës (një proteinë që ndihmon në ruajtjen e hekurit) ose hemoglobinës, që transporton oksigjen në trup. Edhe nëse nuk keni mungesë hekuri, të qenit i vëmendshëm ndaj ushqimit që konsumoni mund të ndihmojë parandalimin e saj. Hekuri më lehtësisht i absorbuar, i quajtur hekur heme, gjendet në mish, peshk dhe vezë, ndërsa hekuri jo-heme (në bishtajore dhe perime të gjelbra) absorbohet më mirë kur kombinohet me ushqime të pasura me vitaminë C.

2. Hani më shumë fruta dhe perime
Studimet e mëdha tregojnë se të rriturit që konsumojnë më shumë fruta dhe perime raportojnë gjumë më të mirë, ndërsa ata që konsumojnë ushqime të shpejta dhe pije të gazuara raportojnë gjumë më të keq. Dieta mesdhetare e pasur me perime, fruta, arra, bishtajore, drithëra të plota dhe produkte të qumështit me yndyrë të ulët është lidhur me një gjumë më të rregullt dhe cilësor.

Personat që flenë më pak se pesë orë në natë shpesh konsumojnë më pak hekur, zink, selenium, fosfor, magnez, vitaminë C dhe lutein, krahasuar me ata që flenë më shumë. Edhe pse marrëdhënia mes ushqimit dhe gjumit është e ndërlikuar dhe jo gjithmonë e drejtpërdrejtë, ekzistojnë prova që dietat e pasura me perime dhe fruta mund të përmirësojnë cilësinë e gjumit.

Një studim i vogël në Suedi me 15 burra të rinj tregoi se dieta e lartë në yndyrë dhe sheqer ndikoi në valët cerebrale gjatë gjumit dhe reduktoi cilësinë e gjumit të thellë. Kur pjesëmarrësit kaluan në një dietë më të shëndetshme, e ulur në yndyrë dhe sheqer, gjumi i thellë u përmirësua. Studime të tjera të kontrolluara tregojnë se rritja e konsumit të frutave dhe perimeve mund të ndihmojë veçanërisht gratë me probleme të pagjumësisë, duke shkurtuar kohën për të rënë në gjumë dhe përmirësuar cilësinë e gjumit pas disa muajsh.

Tags:

gjume shendet