KreuCelebrity

Victoria Beckham synon një tjetër sukses, gati të hyjë në industrinë e luksit për shtëpinë

Victoria Beckham synon një tjetër sukses, gati të hyjë
Victoria Beckham duket se është gati të zgjerojë edhe më tej perandorinë e saj të biznesit. Pasi ndërtoi një markë të njohur në industrinë e modës dhe bukurisë, ish-anëtarja e Spice Girls raportohet se po përgatitet të hyjë në tregun e produkteve luksoze për shtëpinë.

Sipas Daily Mail, stilistja po punon për lançimin e një koleksioni të ri, i cili do të jetë pjesë e markës së saj, tashmë e vlerësuar me rreth 85 milionë euro. Projekti synon ta shndërrojë emrin “Victoria Beckham” në një brand të plotë të stilit të jetesës.

Burime pranë projektit bëjnë të ditur se koleksioni do të përfshijë një gamë të gjerë produktesh premium, si pjata, gota, filxhanë, takëme, enë kuzhine, mobilje, jastëkë dekorativë, vazo dhe aksesorë të tjerë për arredimin e ambienteve të brendshme.

Ky zgjerim konsiderohet si hapi i radhës në strategjinë e Victoria Beckham për të shkuar përtej modës dhe kozmetikës, duke u pozicionuar edhe në sektorin e luksit për shtëpinë.

Në një intervistë të fundit, stilistja la të kuptohej se nuk e përjashton mundësinë e shitjes së biznesit në të ardhmen, nëse kjo do ta ndihmonte markën të arrinte një nivel edhe më të lartë. Megjithatë, ajo theksoi se aktualisht fokusi i saj mbetet zhvillimi dhe zgjerimi i kompanisë.

Victoria zbuloi gjithashtu planet për hapjen e dy dyqaneve të reja fizike në New York dhe Miami, duke theksuar se dëshiron të ketë kontroll të plotë mbi eksperiencën që klientët kanë me markën e saj.

Ajo shtoi se biznesi ka ende shumë hapësira për t’u zgjeruar në kategori të reja dhe se sheh potencial të madh për rritje në vitet që vijnë.

Pas një periudhe të gjatë investimesh dhe sfidash financiare, Victoria Beckham u shpreh krenare që marka e saj më në fund është bërë fitimprurëse, duke e cilësuar këtë si një nga sukseset më të rëndësishme të karrierës së saj.

Ndërkohë, ajo hodhi poshtë zërat për një rikthim në muzikë me Spice Girls, duke thënë se kjo fazë i përket së shkuarës. Me humor, Victoria shtoi se pasionin për muzikën në familje e ka trashëguar djali i saj, Cruz Beckham.