
Filmi kult “La Piscine” (1969) nuk mbahet mend vetëm për atmosferën elegante dhe interpretimet e shkëlqyera, por edhe për historinë e veçantë që fshihej pas kamerave. Prodhimi ribashkoi në ekran ish-çiftin legjendar të viteve ’60, Alain Delon dhe Romy Schneider, vite pasi lidhja e tyre kishte përfunduar.
Pas ndarjes, Romy Schneider kishte nisur një kapitull të ri në jetën e saj. Ajo ishte martuar me regjisorin dhe aktorin gjerman Harry Meyen dhe ishte bërë nënë. Megjithatë, sipas rrëfimeve të publikuara ndër vite, Alain Delon nuk reshti kurrë së shpresuari për një ribashkim.
Thuhet se aktori këmbënguli që Schneider të përzgjidhej për rolin kryesor në “La Piscine”, madje duke paralajmëruar se do të largohej nga projekti nëse ajo nuk do të ishte pjesë e kastit. Fillimisht, producentët kishin rezerva, pasi publiku e identifikonte ende aktoren me imazhin e saj nga trilogjia “Sissi”, por në fund Delon arriti ta bindte ekipin.
Gjatë xhirimeve, marrëdhënia e tyre personale u reflektua edhe në interpretim. Kimia mes dy aktorëve u konsiderua e jashtëzakonshme dhe mbetet edhe sot një nga elementët më të vlerësuar të filmit.
Edhe pse Romy Schneider nuk u rikthye kurrë në një lidhje me Alain Delon, historia e tyre vazhdoi të fascinojë publikun dhe e bëri “La Piscine” një film që tejkalon kufijtë e një drame psikologjike, duke u kthyer në dëshmi të një dashurie të madhe që la gjurmë si në jetën reale, ashtu edhe në historinë e kinemasë.
