KreuCelebrity

Mbi 300 herë Violetë, DIVA Ermonela Jaho mbyll kapitullin në Romë me kryerolin verdian!

Pak artistë arrijnë të identifikohen aq fort me një personazh sa Ermonela Jaho me Violetën e “La Traviata”. Pas më shumë se 300 interpretimeve në skenat më prestigjioze të operës botërore, diva shqiptare i ka dhënë lamtumirën një prej roleve më ikonike të repertorit verdian. Mbrëmja e fundit në Teatro Costanzi të Romës shënoi fundin e një epoke artistike, duke mbyllur me emocione një kapitull që e vendosi Jahon mes interpretueseve më të mëdha të Violetës në historinë bashkëkohore të operës.

Roli me të cilin është identifikuar në teatrot më prestigjioze të botës e ka shndërruar Jahon në një nga interpretueset më të vlerësuara të këtij personazhi. Për më shumë se dy dekada, interpretimi i saj është duartrokitur nga publiku dhe është vlerësuar nga kritika për intensitetin emocional, ndërtimin dramatik të personazhit dhe ndjeshmërinë e rrallë skenike.

Mbi 300 herë Violetë, DIVA Ermonela Jaho mbyll kapitullin në

Edhe në Romë, kritika e cilësoi paraqitjen e saj si një interpretim të jashtëzakonshëm. Sipas vlerësimeve, Jaho nuk interpreton thjesht Violetën, por e jeton atë në çdo detaj, duke e shndërruar fjalën, gjestin dhe frazën muzikore në emocion të pastër. Veçanërisht u vlerësua akti i tretë i operës, ku interpretimi i saj u konsiderua një nga momentet më prekëse të krijuara ndonjëherë në këtë rol.

Mbi 300 herë Violetë, DIVA Ermonela Jaho mbyll kapitullin në

Produksioni, i cili shënon dhjetë vjet në repertorin e Operës së Romës, mban firmën e regjisores Sofia Coppola, me skenografi të Nathan Crowley dhe kostume të realizuara nga Valentino Garavani, ndërsa drejtimin muzikor e mbajti dirigjenti Francesco Ivan Ciampa. Në role të tjera interpretuan tenori Dmitry Korchak si Alfredo dhe baritoni Amartuvshin Enkhbat si Giorgio Germont.

Për kritikët ndërkombëtarë, Ermonela Jaho mbetet Violeta më domethënëse e dy dekadave të fundit, falë aftësisë së saj për të bashkuar virtuozitetin vokal me një interpretim të rrallë njerëzor. Lamtumira e saj nga ky personazh nuk shënon vetëm fundin e një roli, por mbylljen e një kapitulli të rëndësishëm në historinë e operës bashkëkohore, duke lënë një trashëgimi artistike që do të mbetet pikë referimi për brezat e ardhshëm