KreuCelebrity

Trump ndan një video të krijuar me AI, ironizon yjet e Hollywood-it që e kanë kritikuar

Trump ndan një video të krijuar me AI, ironizon yjet e Hollywood-it
Presidenti amerikan Donald Trump ka tërhequr sërish vëmendjen në rrjetet sociale, këtë herë duke publikuar një video satirike të realizuar me inteligjencë artificiale, ku vihen në shënjestër disa prej emrave më të njohur të Hollywood-it.

Në klip, Trump shfaqet si një mjek imagjinar me emrin “Dr. Trump”, i cili pretendon se po trajton pacientë të prekur nga ajo që ai e quan “Trump Derangement Syndrome” (TDS), një term që e përdor prej vitesh për të etiketuar kritikët e tij politikë.

Videoja është konceptuar si një reklamë humoristike dhe paraqet versione të gjeneruara me AI të aktorëve dhe figurave publike si Julia Roberts, Robert De Niro, Rosie O’Donnell, Whoopi Goldberg, John Leguizamo dhe Edward Norton. Personazhet e krijuar në mënyrë artificiale shfaqen duke pohuar me tone satirike se “kurat” e Dr. Trump i kanë ndihmuar të “çlirohen” nga TDS.

Në mbyllje të videos, Trump jep një “recetë” ironike për ndjekësit e tij: “Fikni lajmet e rreme, lutuni dhe, nëse ndiheni në ankth, pini një Diet Coke si unë. Do të vini re një ndryshim të jashtëzakonshëm në jetën tuaj.”

Kjo nuk është hera e parë që Trump përdor përmbajtje të krijuar me inteligjencë artificiale në platformat sociale. Postime të ngjashme kanë nxitur debate dhe reagime të shumta, ndërsa termi “Trump Derangement Syndrome” vazhdon të jetë një nga shprehjet që ai përdor më shpesh për t’iu referuar kundërshtarëve dhe kritikëve të tij.