KreuCelebrity

“Mendova se nuk do t’ia dilja”, Madonna rrëfen betejën me vdekjen: Kalova dy ditë në koma

“Mendova se nuk do t’ia dilja”, Madonna rrëfen
Madonna ka ndarë një nga rrëfimet më personale të jetës së saj, duke folur për herë të parë me detaje mbi krizën shëndetësore që përjetoi në vitin 2023, kur një infeksion i rëndë bakterial dhe sepsa e çuan në gjendje kritike.

Në një intervistë për Vogue Italia, ikona e muzikës, tashmë 67 vjeçe, tregoi se mjekët e mbajtën për dy ditë në koma të induktuar, ndërsa trajtohej në repartin e kujdesit intensiv. Ajo zbuloi se në atë periudhë përjetoi edhe dështim të mushkërive dhe veshkave, çka detyroi shtyrjen e turneut të saj botëror.

Artistja foli edhe për një detaj emocional që e shoqëron ende sot: një oktapod prej pelushi ngjyrë vjollcë, të quajtur Octavia, të cilin e mban pranë çdo natë. Emri i lodrës është frymëzuar nga infermierja Olivia, e cila u kujdes për të gjatë ditëve më të vështira në spital.

“Kur isha në koma, infermierja Olivia më nxiste çdo ditë të luftoja dhe të dilja nga kujdesi intensiv. Më dha shumë forcë dhe shpresë. Kur dola nga spitali, motra ime më dhuroi këtë oktapod dhe ai më kujtoi menjëherë atë,” rrëfeu Madonna.

Ajo rikujtoi edhe momentin kur u rikthye në skenë me turneun Celebration Tour, duke zbuluar se përvoja pranë vdekjes i ndryshoi mënyrën si e sheh jetën.

“Jam pothuajse e sigurt se fjala e parë që thashë kur u zgjova ishte ‘Jo!’. Mendoj se Zoti po më pyeste nëse doja të shkoja me të, por unë iu përgjigja: ‘Jo!’,” tha ajo.

Madonna pranoi se rikuperimi ishte i gjatë dhe i lodhshëm, aq sa edhe një shëtitje e shkurtër në oborr për të marrë ajër dhe diell ishte një sfidë.

Sipas këngëtares, motivimi më i madh për të luftuar dhe për t’u rikthyer në skenë ishin gjashtë fëmijët e saj.

“Fëmijët e mi më dhanë forcën për të vazhduar. Nuk doja t’i zhgënjeja, ndaj vendosa një datë për rikthimin tim dhe punova fort derisa e bëra realitet,” u shpreh ajo.