Regjisori i Hollywood-it, Carl Erik Rinsch, është dënuar me 30 muaj burg pasi u shpall fajtor për mashtrim elektronik, pastrim parash dhe transaksione financiare të paligjshme, pasi keqpërdori 11 milionë dollarë të siguruara nga Netflix për realizimin e serialit fantastiko-shkencor White Horse.
Pavarësisht një letre mbështetëse nga aktori Keanu Reeves, i cili i kërkoi gjykatës të tregonte mëshirë ndaj ish-bashkëpunëtorit të tij, gjykatësi Jay Rakoff vendosi ta dënojë Rinsch me dy vite e gjysmë burg. Përveç dënimit me burg, ai u urdhërua të qëndrojë tre vite nën mbikëqyrje pas lirimit, të konfiskojë 11 milionë dollarë dhe të paguajë një gjobë prej 700 dollarësh.
Reeves, i cili punoi me Rinsch në filmin 47 Ronin (2013), e përshkroi regjisorin si një “artist të jashtëzakonshëm” dhe e cilësoi serialin e papërfunduar White Horse si një vepër “mbresëlënëse dhe vizionare”. Në letrën drejtuar gjykatësit, ai pranoi se Rinsch kishte prirje të vetësabotohej dhe se kjo kishte ndikuar në përshkallëzimin e problemeve të tij profesionale. Aktori theksoi se nuk po përpiqej të justifikonte veprimet e mikut të tij, por të ofronte një shpjegim për sjelljen e tij.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Netflix i kishte dhënë Rinsch rreth 55 milionë dollarë për prodhimin e serialit. Më pas, ai kërkoi edhe 11 milionë dollarë shtesë, duke pretenduar se ishin të nevojshme për përfundimin e projektit. Prokuroria tha se, në vend që t’i përdorte për serialin, regjisori i transferoi fondet në llogaritë e tij personale, ku investoi në aksione me rrezik të lartë dhe kriptomonedha, ndërsa një pjesë të madhe të parave e shpenzoi për luks.
Autoritetet zbuluan se ai shpenzoi të paktën 1.7 milionë dollarë për fatura kartash krediti, 3.3 milionë dollarë për mobilie luksoze, antikitete dhe dyshekë, rreth 387 mijë dollarë për një orë zvicerane dhe mbi 2.4 milionë dollarë për pesë makina Rolls-Royce dhe një Ferrari të kuq.
Prokurorët kërkuan një dënim prej pesë vitesh burg, ndërsa avokatët e Rinsch kërkuan dënim me kusht, duke argumentuar se sjellja e tij ishte ndikuar edhe nga problemet e shëndetit mendor. Vetë regjisori pranoi para gjykatës se nuk kishte kuptuar rrezikun e gjendjes së tij psikologjike dhe kërkoi falje për veprimet e kryera.
Në deklaratën pas vendimit, Prokurori i SHBA-së Jay Clayton tha se Rinsch organizoi një skemë mashtrimi për të përfituar miliona dollarë, duke pretenduar se fondet do të përdoreshin për prodhimin e serialit, ndërsa në realitet ato u përdorën për investime spekulative dhe shpenzime personale luksoze. Sipas tij, vendimi i gjykatës dërgon një mesazh të qartë se mashtrimi financiar nuk do të tolerohet.
Sipas raportimeve të The New York Times, Keanu Reeves kishte investuar financiarisht në projektin White Horse dhe shërbente gjithashtu si producent. Gazeta raportoi gjithashtu se, kur gjendja mendore e Rinsch u përkeqësua, Reeves, së bashku me një specialist të shëndetit mendor, organizoi një ndërhyrje në shtëpinë e regjisorit në Los Anxhelos në përpjekje për ta ndihmuar.
