Jack Depp, djali 24-vjeçar i aktorit të njohur Johnny Depp dhe këngëtares dhe aktores Vanessa Paradis, është parë së fundmi në Paris duke punuar në projektin e tij të parë të nj; filmi me metrazh të gjatë si regjisor.
Sipas pamjeve të datës 25 qershor, Jack u shfaq në sheshxhirim në një rol drejtues, duke dhënë udhëzime për kastin dhe ekipin e produksionit. Ai ishte i veshur thjesht me një bluzë gri, pantallona të shkurtra xhins dhe atlete, ndërsa mbante kufje profesionale dhe syze dielli. Në disa momente, ai u pa duke komunikuar me ekipin, duke reflektuar një përfshirje të plotë në procesin krijues.
Jack Depp nuk është i ri në botën e kinemasë. Ai ka realizuar më parë tre filma të shkurtër së bashku me bashkëpunëtorin e tij Dexter Demme, përfshirë komedinë “Tug of War”, e cila u shfaq në Beverly Hills Film Festival dhe pati pjesëmarrjen e aktores Gina Gershon. Dyshja ka deklaruar më herët se po punojnë për filmin e tyre të parë të gjatë.
Në një intervistë të vitit 2025, ata konfirmuan se pas suksesit të tre filmave të shkurtër, po zhvillonin skenarin e projektit të ri dhe synonin të nisnin xhirimet në të ardhmen e afërt.
Pavarësisht lidhjes me një familje të famshme artistësh, Jack ka zgjedhur të qëndrojë kryesisht larg vëmendjes publike. Ai ka jetuar për një periudhë edhe në Paris, ku ka punuar si kamarier në një restorant libanez, përpara se t’i përkushtohej plotësisht projekteve filmike.
Babai i tij, Johnny Depp, ka folur rrallë për fëmijët e tij, por ka theksuar më herët talentin artistik të Jack, duke e përshkruar si të aftë në vizatim dhe muzikë.
Me këtë projekt të ri, Jack Depp duket se po ndërton rrugën e tij në industrinë e filmit, duke u larguar nga hija e famës së prindërve dhe duke u fokusuar në një karrierë pas kamerës.
