KreuCelebrity

Tom Holland zbulon se kë do të donte si pasardhës të Spider-Man

Tom Holland zbulon se kë do të donte si pasardhës të
Tom Holland ka treguar se kush, sipas tij, do të ishte zgjedhja ideale për të marrë stafetën e Spider-Man në të ardhmen. Aktori britanik ka përmendur emrin e Owen Cooper, duke vlerësuar talentin e aktorit të ri si të përshtatshëm për rolin e superheroit të famshëm të Marvel.

Në një intervistë për revistën Esquire, Holland la të kuptohet se nuk e sheh veten përgjithmonë në rolin e Peter Parker dhe se në një moment do të jetë gati t’ia kalojë stafetën një brezi të ri aktorësh.

“Do të ishte fantastike nëse Owen Cooper do ta luante Spider-Man. Ai është jashtëzakonisht i talentuar dhe aktualisht po tërheq shumë vëmendje”, u shpreh aktori.

16-vjeçari Owen Cooper u bë i njohur falë interpretimit të Jamie Miller në mini-serialin e Netflix Adolescence, një produksion i vlerësuar me çmime Emmy. Në serial, ai luan rolin e një adoleshenti të përfshirë në një çështje vrasjeje, interpretim që i solli vlerësime të shumta nga kritika dhe publiku.

Ndërkohë, Holland, i cili mori rolin e Spider-Man pas Tobey Maguire dhe Andrew Garfield, po përgatitet për publikimin e filmit të katërt të sagës. Edhe pse ka lënë të kuptohet se një ditë do të largohet nga ky personazh, ai ka shprehur dëshirën për të mbetur pjesë e universit Marvel në rolin e producentit.

Aktori britanik ka thënë se do të dëshironte të mbështeste dhe të udhëzonte aktorët e rinj, duke ndjekur modelin e Robert Downey Jr., i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Marvel Cinematic Universe.

Interesant është fakti se edhe vetë Owen Cooper nuk e ka fshehur dëshirën për të veshur kostumin e Spider-Man. Në një intervistë të dhënë për revistën i-D në muajin mars, ai deklaroi hapur: “Dua të luaj Spider-Man”.