Belina dhe Elvis Pupa kanë reaguar në rrjetet e tyre sociale në lidhje me çështje. Fillimisht, ishte aktori që nëpërmjet një story në Instagram hodhi poshtë akuzat që u ngritën për zbulimin e 43 bimëve kanabisi në një pronë në Australi. Pas tij, Belina sqaroi situaten e saj duke thene se eshte në gjendje të lirë por nuk i lejohen vetëm udhëtimet ndërkombëtare.
"Të dashur miq, ndjekës dhe bashkëpunëtorë,
Dua t’ju falënderoj me zemër për të gjithë mesazhet, mbështetjen dhe dashamirësinë që më keni treguar këto ditë. E ndjej të nevojshme të ndaj me ju disa sqarime në lidhje me lajmet që kanë qarkulluar në media.
Aktualisht jam plotësisht e lirë dhe po vazhdoj aktivitetin tim profesional si zakonisht. Kërkesa që është bërë nga avokatët e mi lidhet vetëm me udhëtimet ndërkombëtare për arsye pune – një nevojë legjitime për të vijuar angazhimet e mia në Shqipëri, SHBA dhe Australi.
Për respekt të procesit ligjor që është ende në zhvillim, nuk mund të jap detaje të mëtejshme. Por jam e bindur se gjithçka do të sqarohet në mënyrë të drejtë dhe transparente.
Një apel për mediat: ju ftoj të ruani profesionalizmin dhe të mos i dorëzoheni spekulimeve. Raportimi korrekt dhe etik është më i nevojshëm se kurrë, veçanërisht kur bëhet fjalë për figura publike dhe çështje të ndjeshme. Nëse vendosni të citoni media të huaja, bëjeni saktë. Dhe nëse zgjidhni të punoni për klikime, të paktën mos dëmtoni të vërtetën. Sa për çështjen, ja lëmë kohës dhe drejtësisë të flasë e fundit. Me respekt dhe mirënjohje, Belina", shkruan ajo.



















