Vetëvrasja e fundit e një oficeri të ri policie në Pensilvani ka ringjallur shqetësimet për operacionin e syrit Lasik, pasi duket se dhjetëra të tjerë janë shtyrë drejt vdekjes për komplikacione të ngjashme. Ryan Kingerski, një oficer 26-vjeçar në Departamentin e Policisë Penn Hills, vrau jetën pas muajsh të tërë dhimbjeje torturuese, shikim të turbullt dhe dhimbje koke të vazhdueshme, shkruan Daily Mail. Ai pretendonte se burim i vuajtjeve të tij ishte pikërisht operacioni i syrit Lasik, të cilit i ishte nënshtruar pesë muaj më pare. Tani, teksa po dalin në dritë edhe më shumë histori tmerri të simptomave agonizuese, po bëhet gjithnjë e më e qartë se rasti i Kingerskit nuk është i izoluar.
"Të gjithë kanë probleme të ndryshme kur bëhet fjalë për Lasik," tha për New York Post Edward Boshnick, një mjek okulist në Miami. "Është mashtrimi më i madh i bërë ndonjëherë publikut amerikan... dhe është një biznes tejet fitimprurës miliarda dollarësh." Kirurgjia e syrit Lasik “shitet” nga ofruesit si 95 deri në 99 për qind i sigurt. E ashtuquajtura procedurë 'e thjeshtë' përdor një lazer ultravjollcë për të riformuar kornenë, duke përmirësuar shikimin pa syze ose lente.
Morris Waxler, 89 vjeç, ishte ish-kreu i degës së Administratës së Ushqimit dhe Barnave, përgjegjës për shqyrtimin e të dhënave dhe miratimin e operacionit Lasik dekada më parë - një vendim për të cilin tani i vjen keq.
“Nuk kishte rëndësi se çfarë pyetjesh dhe shqetësimesh kisha unë, sepse kirurgët ishin shumë të fuqishëm dhe ende janë”, tha ai për The Post. Waxler i kishte kërkuar FDA-së të revokonte miratimin e procedurës Lasik pasi analiza e tij zbuloi shkallët e komplikimeve midis 10 dhe 30 përqind - një kontrast i frikshëm ky në raport me shifrën 'më pak se një përqind' që publikonin ofruesit.
Në vitin 2018, meteorologia e Detroit TV Jessica Starr u vetëvar në moshën vetëm 35-vjeçare, duke lënë pas një shënim vetëvrasjeje prej 30 faqesh dhe video që e lidhnin fajësonin vendimin e saj tragjik për operacionin e zgjedhur. Ajo i dokumentoi vështirësitë e saj e sipas familjes, Starr kontaktoi mjekë të ndryshëm të syrit dhe madje kërkoi ndihmë te një terapist, por gjendja e saj emocionale vazhdoi të përkeqësohej. Në fund, kreu vetëvrasje pasi luftoi me dhimbjet e forta dhe problemet me shikimin që dy muajt që pasuan operacionin e saj.
“Para procedurës, Jessica ishte krejtësisht normale, shumë e shëndetshme”, tha Dan Rose, e veja e Starr, për The Post. "Nuk kishte depresion... asnjë problem të rëndësishëm." Gjithashtu në vitin 2018, Paul Fitzpatrick, një kanadez, baba i dy fëmijëve, vrau veten dhe në letrën e vetëvrasjen, fajin ia faturonte Lasik-ut.
Pas dy procedurave të Lasik, Gloria McConnell vrau vetën në 2019-tën në moshën 69 vjecare.
Komplikime serioze u shfaqën disa javë pas operacionit, duke përfshirë sytë aq të thatë sa i përvëlonin, ndërsa qerpikët i rriteshin nga brenda qepallave.
Paula Cofer, një e mbijetuar e Lasikut, tregoi se ajo kishte pasur për dy vjet mendime vetëvrasëse pas procedurës së saj 'katastrofike' në vitin 2000, raportoi The Post, dhe pretendon se ka njohur të paktën 40 vetë që kanë vrarë veten pas këtyre procedurave, pasi nuk jetonin dot me dhimbjet dhe problemet e shikimit që pësuan prej tyre.