Reperi Kid Cudi dëshmoi në gjyqin federal ndaj Sean “Diddy” Combs në Manhattan, duke zbuluar detaje mbi përplasjet me ish-manjatin e muzikës.
Mescudi tregoi se gjatë vitit 2011, kur kishte një lidhje me Cassie Ventura, e dashura e atëhershme e Diddy-t, shtëpia e tij u shkatërrua nga persona të panjohur, qeni iu mbyll në banjë dhe më pas një koktej molotov iu hodh në Porsche-n blu që qëndronte në hyrje të shtëpisë.
Pas përplasjes së ashpër me telefon me Combs, Cudi tha se e dyshonte fort se Diddy qëndronte pas sulmit. Ai përfundoi lidhjen me Ventura për shkak të frikës për sigurinë e të dyve, duke shtuar se e konsideronte Combs si person të dhunshëm.
Mes Cudi tha gjithashtu se pati një takim me Combs në Soho House në Los Angeles, ku ai “qëndronte me duart pas shpine si një superarmik i Marvel”. Gjatë bisedës, Cudi i kërkoi llogari për makinën e djegur, por Diddy iu përgjigj: “Nuk di për çfarë po flet”. Reperi theksoi se nuk e besoi këtë përgjigje dhe mendonte se ai po gënjente.
Në një takim të dytë vite më vonë, gjithashtu në Soho House, Diddy i tha se donte të kërkonte falje për gjithçka, sipas dëshmisë së Cudit, i cili shtoi se kishte vendosur të bëjë paqe me të kaluarën.
Combs ndodhet aktualisht në paraburgim në qendrën Metropolitan Detention Center në Brooklyn dhe përballet me akuza të rënda federale, si: trafikim seksual, zhvatje dhe transport për qëllime prostitucioni, krime që mund ta çojnë pas hekurave përjetë.