
Nga Brunilda Gorovelli
Muaji dhjetor vjen me një personazh me plot energji, paqe, mentor shpirtëror dhe një nga personalitetet më me ndikimin në fushën e vetëzhvillimit. I rikthyer pas udhëtimeve të tij të shumta, ai na rrëfen përvojat transformuese, rolin e meditimit në jetën moderne, marrëdhëniet njerëzore, dashurinë pa kushte dhe misionin e tij për t’i sjellë shoqërisë më shumë paqe, qartësi dhe vetëdije. Në një bisedë të sinqertë për “Bordo”, Sheki na fton të kthehemi te vetja, aty ku, sipas tij, fillon çdo përgjigje.
Sheki, je gjatë gjithë kohës në udhëtim, sapo je kthyer në Tiranë dhe po sot, largohesh apo jo?
E tërë jeta është një udhëtim, dhe si të tillë, jam duke e shijuar në maksimumin e saj.
Çfarë ke mësuar në këto vite eksperiencë në vende dhe me njerëz të ndryshëm?
Kam mësuar se dhurata më e madhe që mund t'ia bëjmë vetes, është kur ne ju shërbejmë të tjerëve me atë që dimë më mirë, kur atë që posedojmë, e ndajmë me të tjerët.
Po vetes, si mund t'i shërbejmë? Ju konkretisht, si i shërbeni vetes?
Thjesht të kuptojmë se kush jemi! Kush jam, për çfarë kam ardhur këtu dhe për çfarë jam falënderues. Dhe mënyra më e mirë për t'i shërbyer vetes është që ta duam veten pa kushte.
Si i përzgjedh vendet për arratisjen nga realiteti i zhurmshëm?
Nëpërmjet meditimit, në qetësi, nuk ka as zhurmë, nuk ka as mendime, as emocione. Madje ne nga shkenca mistike dhe spirituale themi se në qetësi të thellë je i mbrojtur edhe nga vdekja.
33 ditë ashram në Indi, certifikim për meditim të OSHO-s, a ka qenë një moment kthese për ju?
Po ka qenë pika e vlimit dhe ku e kam kuptuar definitivisht rolin e ardhjes sime në këtë planet. Ka qenë hera e parë kur qëndrova 33 ditë, pastaj kam qenë edhe tre herë në Indi në qendrën OSHO, ku kam qëndruar nga 45 ditë dhe kam marrë certifikime të ndryshme, gjithmonë me të vetmin qëllim, të shtoj vlerë në komunitet, në shoqëri dhe të kontribuojë te të gjithë njerëzit për një jetë më të lehtë.

Çfarë është meditimi dinamik i OSHO-s?
Meditimi dinamik i OSHO-s është njëri nga meditimet aktive i cili në vetvete përmban katarsis, pastrim nga programet, bindjet, besimet e vjetra, traumat e ndryshme dhe në të njëjtën kohë, na mundëson që të aksesojmë dimensionin e përhershëm që kemi në qenien tonë, aty ku janë përgjigjet e pyetjeve të mëdha me të cilët ne ballafaqohemi në jetë.
Çfarë është kontrata me shpirtin? Po kontrata jote me shpirtin?
Kontrata me shpirtin është të dëgjosh zërin e shpirtit i cili flet me një zë tjetër, nga mendja. Rumi thoshte: është një zë i cili flet me ty, por nuk përdor fjalë! Në atë zë janë të gjitha këshillat, udhëzimet si ti ta jetosh jetën në optimumin e saj. Unë këtë zë e kam dëgjuar para 20 viteve dhe nga ai moment jam lidhur me pjesën shpirtërore. Nuk bëj asnjëherë kompromise për gjëra që dëmtojnë paqen e shpirtit tim, harmoninë e brendshme, lumturinë e pakushtëzuar, atë lirinë e cila ka qenë gjithmonë aty nga fillimi.
Si e përcakton lumturinë e vërtetë?
Lumturinë e vërtetë e përcaktojmë fillimisht kur ne mësohemi që të kërkojmë në vetvete. Lumturia është gjithmonë e vërtetë. Nuk është e vërtetë atëherë kur e kushtëzojmë nga faktorët e jashtëm. Nuk është lehtë ta gjesh në vetvete, por e pamundshme ta gjesh diku tjetër. Që nga fillimi fatmirësisht mësova që ta kërkoj lumturinë në vetvete dhe lumturinë që e gjen në vetvete ajo është gjithmonë e vërtetë.
Si mund ta gjejë njeriu paqen e brendshme në një botë të ngarkuar me stres dhe ankth?
Njeriu mund ta gjejë paqen e shpirtit, kur arrin të qetësojë mendjen. Momenti kur e qetësojmë mendjen, e shijojmë paqen, sepse paqja është gjithmonë aty. Ne nuk e krijojmë, ajo është aty. Mendja është sfida e parë, pas kësaj fillon të ndryshojë mënyra si do ta perceptojmë në vazhdim atë që ndodh në botën e jashtme. Në një moment të caktuar kuptojmë se nuk është bota që ndryshon, por jemi ne që kemi ndryshuar mënyrën si e shikojmë atë. Nga ky moment të gjitha gjërat fillojnë të ndryshojnë. Këtë e ka thënë shumë bukur Sokrati, “Tërë jetën u mundova ta ndryshoj botën, por nga momenti kur vendosa të ndryshoj veten, e tërë bota ndryshoi".

Çfarë do të thotë për ty të jetosh në maksimum?
Të kuptosh thesarin e brendshëm që është pjesë e individualitetit tonë, atë që e kemi sjellë me vete ta eksplorojmë, ta konvertojmë në vlerë dhe ta ndajmë me ata që na rrethojnë, të lejojmë që përmes nesh të shkëlqejë ajo drita që kemi me vete. Ne vijmë nga drita dhe dashuria, thjesht ta shpërndajmë kudo shkel këmba jonë.
A ka një lidhje midis mendjes, trupit dhe shpirtit?
Mendja, trupi dhe shpirti nuk janë asnjëherë të ndarë. Nëse ka ndodhur një gabim në trajtimin e qenies njerëzore, është se mjekësia konvencionale e ka ndarë mendjen nga trupi ose trupin nga shpirti dhe i ka trajtuar të ndarë. Ky trekëndësh mendje, trup, shpirt nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë i ndarë. Ne qenien tonë duhet ta trajtojmë si entitet të unifikuar dhe jo të ndarë nga njëra-tjetra.
Mos u nxitoni për asgjë. Kur të jetë koha e duhur do të ndodhë. Sa shpesh ja thoni vetes këtë?
Gjithmonë. Nxitimin e ka krijuar mendja e njeriut. Në univers nuk ekziston nxitimi, ai ekziston vetëm për egon. Më shpejt, më bukur, më shumë, më andej, më këndej. Dielli lind me të njëjtën shpejtësi si para mijëra viteve, fëmijët lindin nëntë muaj dhe nuk lindin tre, sepse ne nuk kemi kohë. Gjithçka që ndodh, nuk ndodh, as herët, as vonë. Nuk ekziston në ekzistencë herët dhe vonë, por ndodh në momentin e duhur. Kur e besojmë këtë dhe e bëjmë tonën, atëherë e shijojmë atë që ndodh në jetën tonë. Nuk ekziston, as njëra, as tjetra, ekziston momenti i duhur. Momenti i duhur është gjithmonë, tani dhe këtu.
Për çfarë lutesh më shumë?
Lutem që ekzistenca të më mundësojë që potencialin që ma ka dhuruar ajo, për të cilën jam shumë mirënjohës, ta konvertoj në vlerë dhe ta ndaj me gjithë njerëzimin.
Si është përditshmëria jote, një ditë e jotja?
Fillon gjithmonë me meditim dhe lexim. Pastaj me takimet që kam. Në mënyrë të vazhdueshme hulumtoj, eksploroj. E quaj veten dhe jam nga të parët, profesor i qetësisë. E studioj qetësinë, heshtjen. Dikush mendon se çfarë ka në qetësi që studiohet. Qetësia flet. Është një gjuhë hyjnore e cila flet, por nuk përdor fjalë. Rumi thoshte “qetësia është gjuha e Zotit” dhe çdo gjë tjetër është një përkthim i keq.

Cilët janë njerëzit e tu më të afërt, ata me të cilët shoqërohesh në përditshmëri?
Familja ime dhe jam shumë krenar, pasi është një vlerë e pakontestueshme. Pastaj kam shumë miq me të cilët ndaj tematikat për të cilat jam i dedikuar. Nga miqtë e mi të veçantë është Vasil Naçi, një mentor i imi, një njeri i cili ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë tek unë, bashkë bëjmë gjëra të mrekullueshme për shoqërinë. Ermal Mamaqin e llogaris si vëlla dhe reciprokisht ai mua, po ashtu profesor Hetem Ramadanin të cilin e kam quajtur Ajnshtajni i spiritualitetit, e natyrisht shumë miq të tjerë.
30 vite me bashkëshorten, si është raporti juaj, si ia keni shprehur dashurinë njëri-tjetrit?
Dashurinë më të madhe e kemi shprehur pa përdorur fjalët, por me prezencën tonë. Formula sekrete se si funksionon një bashkëshortësi, qëndron se që nga fillimi u morëm vesh që nuk do ta uzurpojmë lirinë e njëri-tjetrit. Do të ndikojmë që secili ta konvertojë potencialin që ka dhe të shërbejmë për njëri-tjetrin si shtysë, si ndihmë që secili ta kuptojë veten më mirë, ta shijojë lirinë e të qenit në këtë ekzistencë. Personalisht kam kuptuar se personi i duhur në jetë nuk është vetëm ai person që të jep dashuri, por një person i cili përmes dashurisë së tij, të bën ta duash veten më shumë. Nusja ime ka ndikuar tek unë që ta dua veten më shumë, falë saj kemi qenë bashkë më tepër se 30 vite. Faleminderit.
Të rinjtë sot pse frikësohen nga një martesë, nga përgjegjësitë? Cili është çelësi i funksionimit?
Çelësi i funksionimit është, e para: që tjetrin mos e llogarisim si pronë, sepse askush nuk është pronë e askujt. Në momentin kur e llogarisim si pronë, e dëmtojmë dashurinë. E dyta, mos e uzurpojmë lirinë e tjetrit. Nuk ka të drejtë askush ta uzurpojë lirinë e askujt, sepse liria është vlera më e çmuar në jetë. E treta, duhet të kontribuojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin pa i cenuar vlerat individuale, të ndikojmë që secili të ndërtojë një identitet me të cilin është komod, pas të cilit qëndron me dinjitet dhe bindje të thellë.
Përse paraja po kthehet në një pikë lidhëse mes njerëzve, raporteve intime apo sociale?
Për arsye se akoma nuk e kemi shëruar raportin me paranë. Paraja është energji, diçka që sjell qetësi. Zviceranët thonë: Paraja nuk është gjithçka, por të qetëson! Nuk qëndron te paraja, por te mënyra si i fiton ato. Nëse paratë i ke fituar me dashuri dhe dhembshuri, i ke fituar duke shtuar vlerë për të tjerët, pa varfëruar dikë, pa ia marrë dikujt që nuk e meriton, pa i thyer zemrat të tjerëve, pa ndikuar te njerëzit që derdhin lot, sepse ndihen të dëmtuar. Atëherë, ti nuk do të bëhesh asnjëherë peng i parasë. Nëse përmes parave ke bërë dëme, karma do të bëjë punën e vet dhe një ditë do të thuash atë që shumica thonë ‘paraja prish karakterin e njeriut’. Jo, paraja prish karakterin e atij njeriu që më parë nuk ka patur karakter. Paraja është energji e mirë.
Si mund të dashurojmë ne pa kushte dhe në mënyrë më të drejtë?
Mënyra më e drejtë për të dashuruar një njeri pa kushte, është të mësohesh ta dashurosh veten pa kushte. Ne e kemi dashuruar veten pa kushte nga fillimi, por dikur e kemi humbur dhe tani e kushtëzojmë. Madje e refuzojmë, nuk e pranojmë veten siç jemi, ndaj krijohet një boshllëk i brendshëm dhe mendojmë se do të vijë dikush, do na dashurojë dhe do të ndihemi komod. Pa e dashuruar veten pa kushte, pa i larguar barrierat që të ndalojnë ta dashurosh veten pa kushte, nuk do ta gjesh dashurinë e vërtetë edhe sikur të takosh të gjithë banorët e këtij planet. Mësohu ta duash veten pa kushte, që në jetën tënde të futet po ashtu një njeri që e do veten pa kushte. Atëherë nga kjo lidhje do të ndodhë parajsa mbi tokë. Bashkëjetesa është një mrekulli, po kur dy njerëz janë në një lidhje që ka boshllëk dhe duan si dy lypsarë nga njëri-tjetri dashuri, kjo lidhje dashurie do të jetë afatshkurtër.
A ka patur gjëra nga të cilat ke hequr dorë gjatë rrugëtimit tënd?
Kam hequr dorë nga frika ndaj Zotit. Nuk e ndjej frikën ndaj Zotit, po kam ndjerë fillimisht një dashuri të vogël, pastaj kjo është theksuar më fuqishëm dhe ndjej një dashuri pa kushte ndaj krijuesit të madh. Kam hequr dorë nga dhënia e këshillave, kur dikush nuk m’i kërkon, t’iu imponohem njerëzve me eksperiencat e mia. Veproj në nivel publik duke patur bindjen e palëkundshme se jam duke shtuar vlerë. Kam vendosur të jetoj për këtë mision deri në frymënxjerrjen e fundit në këtë ekzistencë.
Për individë të cilët kanë dyzime për të njohur spiritualen, meditimin, çfarë do t’i sugjeronit?
Nëse duam ta kuptojmë veten, nëse duam të kemi një qartësi për çfarë kemi ardhur këtu dhe pse zgjohemi në mëngjes, duhet të fillojmë punën me veten. Shumica e njerëzve nuk dinë ta përdorin veten, ndërsa në esencë janë një kryevepër ku ka patur dorë nga fillimi deri në fund hyjnorja, krijuesi, perfeksioni, pafundësia dhe ti thjesht nuk punon me veten. Një gjë kam zbuluar, kur njeriu mësohet të mësojë nga vetja për veten dhe nga jeta për jetën, ai e bën veten shkollë. Dituria që del nga kjo shkollë është dituri e dorës së parë dhe këtë nuk do ta gjesh në asnjë libër të shkruar, nuk mund të ta thotë askush, këtë duhet ta zbulosh në vetvete. Unë me misionin tim vetëm tregoj rrugën, ndërsa rrugëtimin do ta bëjë secili vetë…!
