
Mbrëmjen e sotme miqtë e "Kazermës" do të jenë të ftuar në premierën e filmit "Kazerma". Të gjithë janë shumë kureshtarë për këtë projekt të ri dhe të guximshëm në kinematografi nga Turjan Hysko, pas shumë vitesh suksesi në televizion.
Një mbrëmje që pritet të jetë e mbushur me humor, ku emocioni i premierës bashkon njerëzit për një përvojë argëtuese, mbresëlënëse dhe krijon momente që mbahen mend. Filmi do të jetë në kinema për të gjithë nga data 20 nëntor.
Në një rrëfim të sinqertë për "Bordo", Turi flet për sfidat, emocionet dhe mësimet që i ka dhënë ky udhëtim artistik, por edhe për jetën si baba, partner dhe njeri pas ekranit.
"Kazerma" të sjell sërish në vëmendjen publike, çfarë pret publiku në datë 20 nëntor?
Pret një film, i cili nuk është komedi, ka shumë humor brenda, por nuk është komedi. Një film që unë shpresoj shumë që kur publiku të dal nga kinemaja, të reflektojë.
Një përzierje mes filmit dhe 'reality show-t', si lindi ideja e Kazermës?
Në fakt, "Kazerma" ka qenë një ide për ta bërë 'reality show' shumë vite më para, por sigurisht në kushtet e Shqipërisë nuk mund të realizohej, ishte një ëndërr e mbetur në sirtar. Ndërkohë, pastaj pjesa e filmit ka ardhur si një ide artistike që unë doja, ku më mirë se sa në një reality mund të përmblidhet realiteti në të cilin jetojmë. Po t'i fusësh dhe kontekstin ushtarak bëhet akoma edhe më interesant, kështu që do ta zbulojnë njerëzit më 20 nëntor.
Si të gjithë shqiptarët kemi kureshtje dhe për pjesën e financave, je producent dhe regjisor i këtij filmi, sa ka kushtuar filmi dhe a ishte e lehtë ta sponsorizonit?
Në fakt, sponsorizimi i filmave është shumë i vështirë, sepse të marrësh sponsor duhet të cenosh goxha skenarin dhe mënyrën se si realizohet filmi, kështu që unë shpresën e kam te publiku që të shkoj ta shoh në kinema, që të paktën mos të dalim me shumë humbje në këtë projekt shumë ambicioz. Kostot nuk i them dot sepse nuk kanë mbaruar akoma punët me kostot e marketingut. Të bësh film nuk është e thjeshtë. Megjithatë, me njerëzit e duhur, me stafin mirëkuptues realizohen gjëra të bukura.
Ke qenë regjisor në shumë formate televizive, çfarë do të thotë të jesh regjisor i një filmi?
Në fakt për hir të së vërtetës dua ta saktësoj që jam bashkëregjisor. Të them të vërtetën Xhoslin Rama është ai që ka bashkëpunuar me mua në regji, është një mjeshtër që mua ma ka bërë gjithçka të lehtë. Ajo që bëj unë natyrshëm është producenti, duke qenë se kam vite që e bëj. Kjo pjesa tjetër është eksperiment dhe kam mësuar shumë nga Xhoslin dhe nga drejtori i fotografisë Shpëtim Baca. Dua t’i falënderoj.

Si e keni bërë përzgjedhjen e aktorëve?
Me kastin normalisht është bërë goxha punë. Janë propozuar nga stafi emra të ndryshëm, përveçse atyre që unë kisha fiks në kokën time që do të ishin. Kemi bërë audicione dhe kemi përzgjedhur besoj, mendoj dhe shpresoj më të mirët për rolet përkatëse.
Kemi personazhe që nuk janë aktorë, si Jonida Shehu, Drini Zeqo, Fjoralba Ponari, Hatixhe Brika, si vijnë në film për publikun?
Si fillim jam unë njëherë, që nuk jam aktor në film, që ishte një dilemë e madhe, por duke qenë se unë në film jam moderator dhe producent dhe në film, atëherë Xhoslin dhe Edi Oga bashkëskenaristi, insistuan që mund ta bëja, se kisha dyshimet e mia. Tani t'i marrim me radhë, Jonida dhe Drini janë në një pozicion që edhe në film janë pothuajse dhe në atë që bëjnë në jetën e tyre publike. Fjoralba Ponari është një surprizë e bukur, ajo kishte bërë një eksperiencë si aktore te filmi me Aurela Gaçen, kaq mund të them për Fjoralbën. Nuk e bëra unë aktore, besoj që e ka të lindur, por është një dhunti që i vjen natyrshëm dhe mendoj që nuk duhet ta lërë më aktrimin. Hati është Hati në film, pra nuk ka nevojë të aktrojë sepse është vetja dhe ka një copëz interesante që është ajo vetë. Kështu që nuk kam bërë aktor asnjërin. Mua mos më shani, nuk e di si kam dal, por uroj që njerëzit mos të thonë që “ky është aktor?”.
A kishit ndonjë aktor që iu refuzoi apo të parët që kontaktuat e pranuan direkt?
Jo, jo, ka patur aktor që kanë refuzuar sepse nuk kanë gjetur përshtatshmëri me rolin. Kur ka patur njëri dilemë dhe ne e kemi patur të domosdoshëm për ta patur në film, unë i jam vënë dhe nuk e kanë të thjeshtë të thonë jo, kështu që të gjithë që kemi dashur kanë ardhur. Po ka patur dhe refuzime, nuk i mbajë mend emrat, por e di që për role të caktuara ka patur refuzime, por ata të boshtit kryesor jo.

Ku u realizuan xhirimet?
Xhirimet janë realizuar në disa lokacione, lokacioni kryesor është "Muzeu i armëve", që realisht ka qenë një shpëtim për ne, sepse ajo ishte një kazermë e gatshme. Janë realizuar në studiot televizive të TVKlan, kemi ngritur një studio gjigante për spektaklin “Kazerma” brenda filmit, pastaj në lokacione të tjera të ndryshme, por këto janë dy më të mëdhatë, më sfidueset ku është investuar shumë, pjesa tjetër pastaj në vende të ndryshme.
Sa kanë zgjatur xhirimet dhe post produksioni?
Xhirimet kanë zgjatur pafund, ka qenë një film që janë dashur 30 ditë intensive xhirimesh, mos më shumë dhe ka qenë goxha e lodhshme. Post produksioni është akoma në proces, domethënë një javë para daljes së filmit, besoj do të jetë gjithçka gati sepse është punimi i audios, figurës, ngjyrat etj.
Ku do të transmetohet filmi?
Filmi në të gjitha kinematë, kudo ku ka shqiptarë. Shpresoj që të ketë rezonancë të madhe këtu dhe pastaj do të shkojmë atje ku na kërkojnë. Do të mundohemi të shkojmë kudo.
Keni planifikuar ta çoni jashtë?
Kjo varet gjithmonë nga kërkesa, nëse ka kërkesë ne do të jemi aty, pastaj nuk e di kjo varet nga publiku gjithmonë.
Çfarë të mësoi ky film Turi?
Ky film më mësoi që produksionet filmike janë maksimumi që mund të realizosh. Është një ingranazh fantastik, shumë i vështirë për t’u vënë në lëvizje, por po u vu në lëvizje është një gjë shumë e bukur. Kam patur fatin të punoj me njerëz të cilët i kam falënderuar në fund të filmit dhe mezi po pres të punoj prapë. Me secilin prej tyre, i jam të gjithëve mirënjohës. Në fillim thosha është filmi im, pastaj në fund thashë është filmi ynë dhe e besoj vërtetë këtë gjë. Kam mësuar gjëra që nuk i dija. Nuk dija shumë gjëra.

Mund të themi që Kazerma është dhurata që i ke bërë vetes për 40-vjetor?
Po, është e vërtetë. Unë mbusha 40 vjeç, mendoj që është një etapë që shënjon jetën e dikujt dhe duke qenë se nuk kam shumë qejf të mirat materiale, mendoj që një dhuratë artistike ishte gjëja më e bukur që mund t’i bëja vetes dhe jam i kënaqur për këtë gjë.
A është nisja e kinemasë një rrugëtim i ri në karrierën tënde personale?
Po, definitivisht po. Unë përgjithësisht televizionit i kam marrë shumë, më ka dhënë akoma më shumë, por për momentin nuk kam joshje televizive. Kështu që kinemaja, nëse gjërat shkojnë ashtu siç i mendoj, unë nuk i ndahem më kinemasë sepse mendoj që është një zhaner ku mund të thuash shumë, edhe të mbetet në kohë. Televizioni është konsum i vazhdueshëm, të lodh.
Mund të themi që e ke lënë përfundimisht televizionin?
Jo, përfundimisht nuk dihet asgjë në këtë jetë, nuk mund ta thuash. Në televizion unë kam bërë gjithçka çka kam menduar, në fakt më ka mbetur 'reality show' për hir të së vërtetës. Unë s’kam bërë 'reality show' se s’ka qenë mundësia, nuk e di mbase se s’kam qenë i zoti mjaftueshëm ose nuk kam arritur ta provoj. Sido që të jetë, jo nuk mund të them që e kam lënë plotësisht, por për momentin nuk kam asnjë dëshirë, siç thashë.
Atara nuk të ka parë në ekran, nuk e njeh karrierën tënde, çfarë profesioni di ajo që ka babi?
Kjo është për të qeshur në fakt sepse Atara tek Orinda ka shkuar në Klan te puna e mamit, një ditë tha, “dua të shkoj te puna e babit”, unë po ikja te noterja dhe që atëherë asaj i pëlqeu shumë ai procesi te noterja ime dhe që atë ditë Atara mendon që babin e ka noter. Kështu që me këtë filmin t'i tregojmë dhe gocës që babi s’është noter. Megjithëse, noter është punë e mirë për hir të së vërtetës, por s’jam.
E konsideron veten një njeri të pasur?
Jo jo, me kredi po, të pasur jo.
Pas 20 vitesh si e ke projektuar veten tënde?
Pas 20 vitesh nuk e kam projektuar sepse nuk bëj projeksione aq të gjata, po në rrugëtimin tim unë mendoj që mbas disa kohësh duhet se s’bën atë që kam akumuluar në një formë të caktuar ta ndaj, që do të thotë që unë kam bërë 20 vjet televizion, nuk besoj që kam bërë dëm, por edhe ndonjë shërbim të madh shoqërisë nuk është se i kam bërë për të dhënë mesazhet e duhura, për të kontribuar. Tani që jam bërë prind, ndjej që çdokush, çdo njeri publik ka një detyrë, zërin e tij ta përdor në diçka, kështu që 20 vitet e ardhshme mendoj që do të jem akoma më i pjekur edhe do ta përdor gjithçka që kam arritur në funksion të disa kauzave që mendoj të drejta, por koha do e tregoj.


A ka patur një njeri në jetën tënde që të ka frymëzuar më shumë në jetë?
Leonardo DaVinçi, de' Medici, të dy këto familje do të doja t’i njihja se më kanë frymëzuar shumë. Henry Kissinger është një personazh tjetër që unë nuk e takova dot sa ishte gjallë, se këta të dy si takoja që si takoja dot. Këta kanë qenë frymëzim, ndërkohë përsa i përket kësaj pjesës së kinemasë unë jam fans i çmendur i Al Paçinos. Vetëm atij ja shoh filmat 3-4 herë, për shembull Kumbarin ose Scarface-in. Këta janë le të themi personazhet që do të doja t'i takoja dhe që më kanë frymëzuar deri diku.
Si është të jesh babai i një vajze dhe çfarë ka zbuluar bota e prindërimit për ty?
Babai i një vajzë është..., domethënë kur dëgjon atë shprehjen që “nuk ka asgjë më magjike se sa gruaja” ndonjëherë në rrethana të caktuara thua “po, po”, por në rrethana të caktuara thua “po është e vërtetë". Kur bëhesh babai i një vajze ti kupton që Zoti nuk mund të bëjë asgjë po asgjë më të bukur sesa vajzat dhe gratë. Nuk ka shanse domethënë besoj në këtë univers që ne kemi dijeni. Nuk ka gjë më të bukur se sa të kesh një vajzë dhe një gocë.
Së bashku me Orindën keni qenë të hapur në sfidat që keni patur në rrugëtimin për t’u bërë prindër, a ke një mesazh për çiftet që mund të jenë në të njëjtën situatë?
Në fakt, Orinda ka folur dhe mirë bën edhe për hir të asaj...unë jam shumë i çuditur, realisht jam shumë i çuditur se pse ne si shoqëri, unë i pari kemi qenë kaq të mbyllur. Njerëzit duhet të flasin, domethënë ata që duan të bëhen prindër duhet të flasin me këdo vërdallë, sepse më besoni ka shumë të tjerë vërdallë të cilët mezi presin të komunikojnë dhe ndoshta të ndajnë eksperiencat dhe të diskutojnë për vështirësitë e tyre, sepse të bëhesh prind nuk është një proces aq i thjesht saç e dinim. Pra ka komplikacionet e veta, specifikat e veta çdo çift. Kështu që flisni, flisni, flisni! Te profesionistët shkoni konsultohuni për të bërë realitet, nuk ka arritje më të madhe sesa të kesh një fëmijë, dy, tre, katër, pesë sa të kesh mundësi domethënë kështu që të gjitha ata, sidomos meshkujt sepse është një tabu të diskutohet, nuk është një çështje force, nuk është se sa 'macho' je nëse ke vështirësi në të ngjizurit një fëmijë apo të bërit kësaj ëndrre realitet. Flisni komunikoni me shokët, me miqtë, me njerëzit e afërt, me profesionistë të fushës dhe më beso ndihmon shumë.
Orinda la ekranin për podcastin e saj, si po i shkon?
Po tani...me thënë të drejtën Orinda ka dashur ta lërë më përpara, por nuk e kam lënë unë, duke qenë se e lashë unë thashë lëre edhe ti, por ka bërë shumë mirë kaq mund të them, ka bërë shumë mirë. Orinda e bën shumë mirë atë punë, është dhe fitimprurëse, ka dhe efekt shumë të madh. Televizioni është një gjë e rëndësishme, por dhe podcasti sidomos ai i targetuar siç e bën Orinda, unë mendoj që është një kryevepër e vogël në atë botën e internetit dhe bravo i qoftë se nuk ja kam thënë ndonjëherë publikisht, po bravo është e zonja!
Momenti më i çmuar që ke përjetuar së fundmi në jetën tënde?
Momenti më i çmuar është para 2 ditëve po flija, Atara zgjohet shumë shpejt, dhe unë nuk para fle shumë e kam gjumin e lehtë dhe ndjeva një puthje dhe thashë ç’është kjo dashuri e madhe që në mëngjes nga Orinda dhe vetëm kur dëgjoj një “babi të dua shumë!”. Nuk di..., nuk më ka kaluar akoma ajo ndjesia, erdhi u zgjua të bëhej gati të ikte në shkollë me Orindën se ato zgjohen më përpara dhe erdhi më puthi këtu te balli, madje dhe më tha “babi të dua shumë" dhe iku, nuk di, 4 vjeçe e gjysmë ishte uau, bota në dorën time, kaq.
Turjan Hysko! 40 vjeç kineast! Ja çfarë do të shihni tek Kazerma!| BORDO
