
Nuk ka asnjë pikë dyshimi se balerinët shqiptarë janë një krenari në panteonin e artit, kjo ndoshta falë gjuhës universale të baletit, duke bërë që ata të shkëlqejnë prej 3 dekadash në skenat botërore. Brigel Gjoka është një prej tyre, me gjasë ndër ata që ka shkelur më shumë se kushdo skena nga Gjermania në Greqi, Francë, Singapor, Australi, Zvicër, Itali, plot 31 të tilla, e së fundmi në Kinë me shfaqjen “Negotiating Peace”. I formuar me kulturën e shkollës shqiptare të baletit klasik, artisti i ri do të bënte një ‘grand pas’ kur u largua nga Shqipëria për të studiuar në Ecole Supérieure de Danse de Cannes, një shkollë prestigjioze e krijuar nga balerina Rosella Hightower, e më pas duke u bërë pjesë e Ballet De L'opéra National Du Rhin në vitin 2006. Adagio-t, allegro-t apo arabeskat që kishin qenë pjesë e Brigelit deri atëherë, do të merrnin një tjetër drejtim kur u bë pjesë e kompanisë prestigjioze të William Forsythe, një koreograf amerikan, i cili qasjen e tij ndaj kërcimit e përshkruan si “balet në zhvillim”, duke kaluar përtej teknikave dhe strukturave klasike për të krijuar një balet bashkëkohor. “Çdo koreograf ka metodat e veta të punës, përsa i përket metodës sime, unë i përkushtohem shumë fizikalitetit në çdo projekt që nis. Artistët janë qenie njerëzore, dhe në rastin tim ata sjellin fizikunin e tyre, historinë e tyre në punë. Kjo është diçka e veçantë për t’u përjetuar gjatë procesit të krijimit, ku idetë e tua përballen me idetë e të tjerëve dhe ideja jote fillestare në fund shndërrohet në diçka të papritur”, pohon për revistën “Bordo”, balerini Brigel Gjoka. E në fakt teksa shihja një pjesë në Youtube nga një shfaqje e Brigelit në Kinë, lëvizjet kanë një tjetër dimension, ku dinamikat e lëvizjes nis e transformohet përmes gjuhës së trupit, duke arritur të lexosh me imtësi edhe ndjesitë më personale të artistit.
Në këtë intervistë për revistën “Bordo”, balerini Brigeli Gjoka flet për bashkëpunimin me kompozitorin Fatrin Krajka në “Negotiating Peace”, eksperiencën e tij në kompaninë Forsythe, si dhe projektet e ardhshme që e presin në skenat botërore, mes të cilave edhe pjesëmarrja e tij në Bienalen e Dancit në Venecia, gjithnjë me shpresën për t’u kthyer një ditë në teatrin shqiptar, aty ku hodhi hapat e tij të para, por tashmë edhe si një koreograf bashkëkohor.
Brigel, jeta jote është një udhëtim në skenat botërore, ku gjendeni momentalisht?
"Kur ma bëjnë këtë pyetje, përgjigja që jap është: gjithandej dhe askund (qesh). Aktualisht jam në lëvizje nëpër Europë, duke marrë pjesë në disa festivale në Francë dhe Portugali. Jam duke u përgatitur dhe kthehem sërish në Venecia pas 2 vjetësh për Biennale Danza di Venezia 2025."
Di që keni një agjendë të ngjeshur me shfaqje, me çfarë po merreni aktualisht?
"Jam në një periudhë përgatitjeje intensive për zhvillimin e dy projekteve të reja në Kinë dhe Japoni. Ndërkohë, do të jem i pranishëm në tre festivale, ku do të prezantoj dy nga krijimet e mia të mëparshme, si edhe një krijim të ri që po e përgatis së bashku me Xie Xin Dance Theater."
“Negotiating peace” ju bëri bashkë me kompozitorin Fatrin Krajka, si ndodhi që u takuat?
"Fatrinin kishte kohë që e ndiqja nga larg si artist, por duke jetuar në kontinente të ndryshme, mundësia e takimit ishte e vështirë. Në vitin 2023 m’u ofrua një projekt në Kinë, dhe m’u duk momenti i përshtatshëm për të bërë hapin për t’u lidhur me Fatrin Krajka. Kërkoja një kompozitor me eksperiencë për t’i dhënë një ngjyrë tjetër tablosë sime krijuese. Aty lindi bashkëpunimi ynë."

Edhe pse ne distancë, si arritët të gjenit ‘gjuhën’ e përbashkët për t’u sinkronizuar?
"Kam bashkëpunuar me shumë artistë dhe secili ka specificitetin e tij, por bashkëpunimi me Fatrinin ka qenë veçanërisht një nga më të natyrshmit dhe frymëzues. Që në fillim e gjetëm gjuhën e përbashkët të komunikimit artistik, pavarësisht distancës, sepse ndanim të njëjtin vizion dhe të njëjtën ndjeshmëri ndaj muzikës dhe lëvizjes. Ka qenë një projekt me shumë dëgjim reciprok, ku nevoja për t’u adaptuar u bë diçka krejtësisht e natyrshme. Muzika e tij më ka frymëzuar shumë, dhe propozimet që ai solli ndihmonin për të qartësuar vizionin tim krijues, dhe në fund, është pikërisht kjo që kemi nevojë në një bashkëpunim. Kemi punuar për orë dhe net të tëra në video-konferenca, ku rifillonim të ndërtonim botën, mësuam të njiheshim dhe të zbulojmë njëri-tjetrin, dhe shpeshherë sfidonim njëri-tjetrin, sepse pa sfida nuk ka hapa drejt një bote tjetër nga ajo që njohim."
Kompozitori duhet të lexojë hapat e balerinit, apo balerini duhet të hedhë hapat sipas muzikës?
"Rregulla për këtë nuk ka. Në çdo projekt, gjithçka varet nga ku nisemi. Në rastin konkret, unë e nisa projektin sepse doja të krijoja “Negotiating Peace” dhe Fatrini krijoi platformën muzikore për të zhvilluar këtë ide. Muzika është shumë e rëndësishme për mua në një vepër. Në një bashkëpunim mes kërcimit dhe muzikës, të dy zhanret artistike ndërthuren dhe vihen në shërbim të veprës. Trupi në hapësirë reflekton automatikisht një muzikë të brendshme te publiku, ndërsa muzika sjell një dimension tjetër – ajo e shoqëron veprën, i jep intensitet, emfazë dhe shkakton emocione, duke e udhëhequr publikun në këtë udhëtim. Nuk ka element të dytë, për mua muzika është ngjyra bazë që do të krijojë të tjerat në një vepër, dhe në rastin konkret Fatrini krijoi një vepër muzikore, ku unë gjeta veten brenda atij universi."
Çfarë ka ndryshe për ju si koreograf “Negotiating Peace”, nga ato që keni krijuar deri tani?
"Për mua, çdo krijim varet nga momenti kur e krijoj veprën. Në rastin konkret, doja të flisja për një temë që na nevojitet më shumë se kurrë, dhe jo thjesht një temë që më pëlqen. Por duke ardhur nga një vend si Shqipëria, me historinë që kam njohur dhe kam përjetuar, ishte shumë e rëndësishme për mua të shprehesha përmes artit tim dhe të takoja një tjetër artist që ka përjetuar të njëjtat intensitete në të kaluarën. Kjo na lejoi të përkthenim emocionet tona në një projekt të përbashkët, dhe kjo e bën “Negotiating Peace” ndryshe nga çdo krijim tjetër që kam bërë deri tani."
Si, koreograf, çfarë ju frymëzon për të krijuar?
"Për mua, inspirimi fillon si një nevojë për të reaguar dhe manifestohet si një kuriozitet për t’iu përgjigjur aktualitetit. Kjo dëshirë për të reflektuar mbi botën përreth, është ajo që më shtyn të krijoj."
Cila mendon se është për ju shfaqja që keni krijuar dhe identifikon Brigel Gjokën?
"Çdo projekt është unik, dhe më pëlqen të përqafoj metamorfozën e jetës, si një nevojë për të mos u ngurtësuar në dogmat e sloganeve, për t’u identifikuar me diçka të vetme. Të mbetem kurioz dhe në marrëdhënie të vazhdueshme me botën, kjo për mua është e mjaftueshme."

Lëvizjet e performancave tuaja janë të sakta, po aq sa ato klasike, apo mund të improvizohet?
"Çdo koreograf ka metodat e veta të punës, por përsa i përket metodës sime, unë i përkushtohem shumë fizikalitetit në çdo projekt që nis. Artistët janë qenie njerëzore, dhe në rastin tim ata sjellin fizikunin e tyre, historinë e tyre në punë. Kjo është diçka e veçantë për t’u përjetuar gjatë procesit të krijimit, ku idetë e tua përballen me idetë e të tjerëve dhe ideja jote fillestare në fund shndërrohet në diçka të papritur. Në krijimet e mia, improvizimi është një nevojë për të lënë hapësirë që ideja të marrë një tjetër këndvështrim tredimensional, dhe këtë mund ta përkthejë vetëm artisti në kohë reale. Prandaj, edhe pse puna është e saktë dhe e strukturuar, improvizimi mbetet një mjet thelbësor për të sjellë një vepër të gjallë dhe të vërtetë.
Ju keni qenë pjesë e kompanisë së famshme “The Forsythe”, sa e ka formuar ajo artin tuaj?
"Ka qenë përvoja më e pasur e jetës sime si njeri dhe si artist. Për mua ishte një faqe shumë e madhe e kapitullit tim si njeri. Ishte aty ku e zbulova veten, ku u sfidova vazhdimisht, dhe pikërisht kjo vazhdimësi sfidash ushqeu kureshtjen time. Në 15 vite bashkëpunim tashmë me Forsythe nuk mësova vetëm si të kërceja ndryshe, por edhe si të mendoja ndryshe, si të vëzhgoja botën përreth, si të dekompozoja lëvizjen, mendimin dhe perceptimin tim për gjithçka që më rrethon. Kjo përvojë ka ndërtuar mënyrën se si unë krijoj sot dhe se si e shoh jetën, gjithmonë duke kërkuar, duke vënë gjithçka në pikëpyetje dhe duke qenë hapur ndaj të panjohurës."
Cili ka qenë mësimi më i mirë që keni marrë nga William Forsythe?
"Ka shumë mësime, mund të shkruaj një libër, por ajo që më shoqëron çdo ditë e më shumë është: Mos e lër pemën e kuriozitetit kurrë të thahet."
Për ju ka qenë një sfidë që nga një balerin klasik, ‘të konvertoheni” në një zhanër tjetër?
"Po, ka qenë një proces i gjatë hapjeje ndaj botës së baletit kontemporan, sepse në shkollën e Tiranës nuk jemi formuar në një zhanër tjetër. Ka qenë zbulimi më i bukur në jetën sime si artist. Ky tranzicion më ka dhënë lirinë të zbuloj pafundësinë e lëvizjes dhe të krijimit, përtej kufijve të strukturës klasike."
Mbi 20 vite jashtë Shqipërisë, çfarë ju mungon më shumë nga skena dhe jeta shqiptare?
"Ajo që më mungon më shumë është spontaniteti, dinamika kulturore dhe energjia e vendit."
A ktheheni shpesh në Shqipëri dhe çfarë do t’ju bindte të ktheheshit këtu?
"Rrallë vij në Shqipëri, por do të doja të kthehesha më shpesh. Sot, më shumë se kurrë, pas 22 vitesh si nomad, duke jetuar gjithandej dhe askund, do të më pëlqente një kthim në këtë cikël jete. Nëse ka hapësirë ku kureshtja për bashkëpunim është Kryefjala, kjo është mëse e mjaftueshme për të bindur dikë."
Nga Olsi Kolami

