E kemi parë si Mbretin Lir që përballet me çmendurinë e braktisjes, si Fausti që kërkon kuptimin përtej jetës, si një nga 12 burrat që vret ose shpëton me një votë, e madje edhe si dashuri e pamundur në “Ana Karenina”, e megjithatë, një nga gurët më të çmuar të karrierës së tij nuk vjen nga klasikët e dramaturgjisë botërore, por nga një vepër moderne e vendosur pranë mureve të Taj Mahalit, "Rojet e Taxhit”. Lulzim Zeqja është nga ata artistë që suksesin e tij nuk e bërtet, madje jo rrallë ai zgjedh të flasë me heshtjen, kur fjala i duket e tepërt. Në këtë intervistë për “Bordo Men”, përpiqemi të gërmojmë pak më thellë: për të zbuluar jo vetëm aktorin që lëviz midis klasikëve me mjeshtëri, por Zeqja na lejon të udhëtojmë pas në kohë në jetën e tij; te një fëmijëri çapkëne, te lotët e nënës para ekranit, te vetja adoleshent...Profesionisti i teatrit dhe kinematografisë rrëfen për sfidat e profesionit, për marrëdhënien me familjen, për rolet që kanë lënë gjurmë dhe për ato që ende e presin diku në një skenë të ardhshme...
Çfarë lloj fëmije ishte Lulzim Zeqja? A kishte lidhje me artin që atëherë, apo rruga drejt teatrit u bë më vonë?
"Unë kam qenë një fëmijë si gjithë të tjerët dhe nuk më kujtohet të kem patur një lidhje të ngushtë me artin, por sigurisht që më pëlqente të shkoja në Teatrin e Kukullave. Kam qenë një fëmijë i zakonshëm, por goxha i shkathët. Kisha dëshirë të luaja shumë, "të largohesha" pak nga shtëpia; të isha çapkën. Nuk më kujtohet një lidhje e fortë me artin, por përveç Teatrit të Kukullave, kam patur qejf edhe filmat shqiptarë. Më ka intriguar që në fëmijëri filmi, imazhi. Edhe kur kam qenë i vogël, mbaj mend që mami ishte “tifoze” e filmave artistikë. Kur unë nuk kisha filluar ende të lexoja, e pyesja gjithmonë, pasi ajo qante, qeshte dhe emocionohej kur shikonte një film. Kureshtja natyrisht më shtynte ta pyesja pse kishte këto emocione dhe ajo më shpjegonte filmin. Kjo ka qenë lidhja ime me artin si fëmijë."
Ëndrrat e fëmijës së atëhershëm, a janë konkretizuar sot?
"Them që po, besoj se janë realizuar! Janë konkretizuar ëndrrat e bukura që kam patur derisa jam ky që jam sot. Familja më ka ndihmuar shumë, më plotësonte çdo dëshirë brenda mundësive që kishte, në mënyrë që mos kisha boshllëqe apo mangësi."
Nëse do ta kishit sot përballë veten tuaj adoleshent, çfarë do t’i thoshit? Ndoshta një këshillë, një paralajmërim?
"Në periudhën e adoleshencës kujtoj se kam patur dëshirë të qëndroja me njerëz më të rritur, më të pjekur se unë, për të mësuar sa më shumë prej tyre, për të zbuluar sa më shumë rreth botës. Kjo më ka ndihmuar shumë që të arrija edhe në moshë të hershme të diferencoja se kush ishte njeri i matur, e kush jo. Nuk besoj se do të mund t’i jepja një këshillë vetes sime adoleshent."
Lulzim, ju kemi parë të luani në vepra monumentale si “Mbreti Lir”, “Fausti”, “Ana Karenina”, ashtu edhe në kinematografi. Cili është ai rol që ka qenë më sfiduesi për ju?
"Të them të drejtën, vitet e fundit kam interpretuar të gjitha këto role që keni përmendur. Por dua të theksoj se "gur në karrierën time" është “Rojet e Taxhit” me regji të Altin Bashës, “Xhelatët” e Qëndrim Rijanit, “Edmond” i Indrit Çobanit. Do ta cilësoja se “Fausti” i Gëtes është roli i parafundit që kam luajtur në teatër dhe është një nga veprat më të mira që kam interpretuar vitet e fundit. Të gjitha veprat artistike janë sfiduese në vetvete. Të gjitha rolet kanë vështirësitë e veta dhe aty është bukuria dhe zbulimi që bën një aktor, te vështirësia që ka. Por të gjitha rolet që përmendëm më lart kanë ndikuar shumë në rritjen time si personalitet artistik."
A ka një rol që nuk e keni luajtur ende, por që ndjeni se ju pret diku në një skenë, si një takim që ende nuk ka ndodhur?
"Patjetër! Unë nuk jam në fund të karrierës sime profesionale. Patjetër që ka shumë role, por kam besim që do të vijë një rol i mirë në përputhje me pjekurinë time artistike në këtë moment."
Si e përjeton familja juaj këtë ritëm pune që, për një aktor, është shpesh i paparashikueshëm?
"Familja është pika ime më e fortë dhe kam një përkrahje të jashtëzakonshme prej saj, më ndihmon shumë. Është e vërtetë që profesioni i aktorit është i paparashikueshëm, nuk ke data fikse që do të jesh larg shtëpisë; mund të kesh dy punë paralele. Por kam patur përkrahjen e familjarëve dhe do t’i kërkoja ndjesë për mungesat e mia të herëpashershme dhe oraret e gjata të provave, por mbi të gjitha do t’i falënderoja shumë që janë pranë meje çdo moment."
Kur nuk jeni në skenë apo në xhirime, çfarë lloj Lulzimi jeni në shtëpi? Më shumë prind, më shumë bashkëshort, apo më shumë “aktor në pushim”?
"Unë jam Lulzimi, si në skenë ashtu edhe në jetën private. Kam një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe lumturi të pafundme kur jam pranë familjes sime, si bashkëshort dhe si prind. Për mua, këto “role” janë po aq të rëndësishme dhe të dashura sa ajo që bëj në skenë, dhe gjithmonë mundohem të jem i pranishëm dhe i angazhuar në çdo moment me ata që kam pranë."
A e ndjeni ndonjëherë se teatri ju ka marrë më shumë sesa ju ka dhënë?
"Është një marrëdhënie e ndërsjellët; siç i kam marrë, ashtu edhe i kam dhënë teatrit! Madje teatri më ka dhënë diçka më shumë: më ka bërë njeri më të mirë, më të kultivuar, më të arsyeshëm, më human; pra më ka dhënë disa karakteristika që më parë nuk i kam patur."
Cili është çmimi më i madh që keni paguar për pasionin tuaj për artin?
"Çmimi që kam paguar për pasionin për artin është mosqëndrimi gjatë në shtëpi, pranë njerëzve të mi të dashur. Kur kam qenë shumë i ri, babai im ka ndërruar jetë dhe nuk kam patur mundësi të qëndroja shumë kohë me familjen. Duhet të kisha kaluar më shumë kohë pranë tyre."
Për një aktor që ka punuar me tekste klasike, sa sfiduese është të gjesh aktualitetin te fjalët e Shakespeare-it apo të Gëte-s në kohën tonë?
"Të punosh me tekste të mëdha dhe autorë të tillë si Shakespeare apo Gëte është gjëja më e lehtë në botë. Pse e them këtë? Duke qenë kaq madhështorë, ata kanë bërë tekste shumë të prekshme, shumë të forta. Shakespeare është një nga dramaturgët që ka krijuar teatrin modern dhe ai ka shkruar për joprofesionistë; për amatorë, dhe çdo skenë është e kuptueshme. Është fat për një aktor të luajë vepra të mëdha. Sfidues në interpretime të tilla është emri i madh i autorit që e ka shkruar, por puna që bën me dramaturgët e mëdhenj të ndihmon jashtëzakonisht shumë. Veprat e tyre janë koherente dhe i qëndrojnë realitetit të sotshëm."
A ka një mësues apo një regjisor që ka lënë gjurmë të pakthyeshme në mënyrën si ju e shihni artin e aktrimit?
"Sigurisht. I jam mirënjohës pedagogëve të mi, Mario Ashiku dhe Altin Basha; janë njerëzit që më kanë dhënë mësimet e para në Akademinë e Arteve. Nuk mund të lë pa përmendur edhe kolegun tim sot, Ndriçim Xhepa, një mësues i imi dhe do ta quaja “Baba” në profesion, kam marrë shumë këshilla prej tij, kam parë sesi punon, kam luajtur me të; është goxha frymëzues. Ka edhe shumë profesorë të tjerë, po këta janë tre artistë që kanë një lloj pikete në personalitetin tim artistik dhe në këtë që unë jam sot."
Në profesionin tuaj shpesh ndani teatrin apo sheshin e xhirimit me profesorët! Si është kjo ndjesi?
"Është ndjesia më e bukur dhe një kënaqësi e jashtëzakonshme, pasi janë profesionistë të dorës së parë. Vjen një moment ku nuk i shikon më si profesorë, por si kolegë. Patjetër që gëzoj respekt ndaj tyre për përkrahjen që më kanë dhënë në fillimet e mia. Kam shumë gëzim kur luaj krah tyre."
Kur luani një personazh, a është më e vështirë të ‘vishni’ dhimbjen apo forcën e tij?
"Dhimbja karakterizon edhe forcën, dhimbja është forcë në vetvete, shkojnë bashkë me njëra-tjetrën dhe i vishen shumë bukur personazhit. Pa dhimbje njeriu nuk jeton, dhimbja kthehet në lumturi. Edhe dashuria në vetvete është një lloj dhimbjeje."
Çfarë e frymëzon sot Lulzim Zeqën të vazhdojë të krijojë, në një kohë kur shumë artistë ndihen të lodhur apo të zhgënjyer?
"Unë nuk ndihem i zhgënjyer. Do ta quaj veten me fat që vazhdoj dhe punoj e jam aktor i Teatrit Kombëtar prej disa vitesh. Ky është profesioni im dhe lut Zotin që pasioni të më vazhdojë sa më gjatë. Dëshira për aktrimin më frymëzon dhe e dua shumë këtë profesion."
Bazuar në përvojën tuaj, çfarë këshillash do t’i jepnit aktorëve të rinj që po fillojnë karrierën e tyre?
"Nuk jam një njeri që jap shumë këshilla, por do t’i thosha që me shumë përulësi, ai që ka dëshirë dhe pasion për këtë profesion, të vazhdojë, të mos lodhet dhe të mos zhgënjehet. Ka mundim, por dëshira dhe pasioni e bëjnë më të lehtë këtë rrugëtim"



















