KreuCelebrity

"Për 23 vjet jeni përpjekur të më 'vrisni'"/Cristiano Ronaldo konfirmon se Botërori 2026 do të jetë i fundit në karrierën e tij

Cristiano Ronaldo ka konfirmuar zyrtarisht se Kampionati Botëror 2026 do të jetë turneu i fundit i tij me fanellën e Portugalisë. Sulmuesi 41-vjeçar e bëri të ditur vendimin në konferencën për shtyp para ndeshjes së 1/8 së finales ndaj Spanjës, duke shprehur dëshirën që aventura e tij në këtë Botëror të mos përfundojë me sfidën e së hënës.

"Le të jetë ky Botërori im i fundit. Ky është Botërori im i fundit dhe shpresoj që ndeshja e nesërme të mos jetë e fundit për mua", deklaroi Ronaldo, ndërsa mori duartrokitje nga gazetarët e pranishëm në sallë.

Kapiteni i Portugalisë, golashënuesi dhe lojtari me më shumë paraqitje në historinë e kombëtares (232 ndeshje dhe 146 gola), tha se largohet me ndërgjegje të pastër, pavarësisht se si do të përfundojë ky turne.

"Çfarëdo që të ndodhë, unë largohem me ndërgjegje të pastër. Jo 100 për qind, por 1000 për qind, sepse kam dhënë gjithçka për futbollin dhe për Portugalinë", u shpreh ai.

Ronaldo theksoi se fitimi i Kupës së Botës nuk do ta ndryshojë mënyrën se si e sheh veten.

"Nuk do të jem më shumë Cristiano nëse e fitoj Botërorin dhe as më pak Cristiano nëse nuk e fitoj. Zoti më ka dhënë më shumë sesa kam ëndërruar ndonjëherë."

Pesë herë fituesi i Topit të Artë nuk i kurseu as komentet për kritikët e tij, duke deklaruar me humor se prej më shumë se dy dekadash janë përpjekur ta "eliminojnë" nga futbolli.

"Për 23 vjet jeni përpjekur të më 'vrisni', por e keni kuptuar se nuk ia vlen. Kritikat më kanë bërë më të fortë dhe për këtë ju falënderoj."

Portugalia përballet me Spanjën në një nga sfidat më të forta të fazës së 1/8 së finales, me një vend në çerekfinale në lojë. Ronaldo ka realizuar tre gola në këtë Botëror dhe synon të vazhdojë rrugëtimin drejt trofeut të vetëm që mungon në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

Trajneri Roberto Martinez ka vazhduar t'i besojë kapitenit të tij, duke vlerësuar eksperiencën, lidershipin dhe ndikimin që ai ka në repartin ofensiv të Portugalisë, pavarësisht debatit të vazhdueshëm nëse duhet të jetë titullar.

Në moshën 41-vjeçare, Ronaldo po luan Botërorin e tij të gjashtë, duke u bërë një nga futbollistët më jetëgjatë dhe më të suksesshëm në historinë e këtij kompeticioni. Ai ka shënuar në të gjashtë Botërorët ku ka marrë pjesë, një rekord që e veçon edhe më shumë në historinë e futbollit.

Megjithatë, portugezi la të kuptohet se fundi i karrierës ndërkombëtare është shumë pranë.

"Do të ndalem kur ta vendos unë, jo kur ta vendosni ju. Por po, ky është Botërori im i fundit. Tani dua vetëm ta shijoj çdo ditë dhe shpresoj që nesër të mos jetë ndeshja ime e fundit."