
Një shfaqje artistike në Nantong Forest Safari Park është kthyer në një incident të rrezikshëm, pasi një balerinë u përfshi nga flakët gjatë performancës së saj.
Artistja po interpretonte një koreografi që përfshinte një element me zjarr të integruar në fundin e kostumit, por mekanizmi dështoi, duke bërë që flakët të dilnin jashtë kontrollit dhe të përhapeshin drejt trupit dhe flokëve të saj.
Pamjet dramatike tregojnë momentin kur ajo përpiqet të largohet me shpejtësi, ndërsa zjarri intensifikohet. Në përpjekje për të shpëtuar, balerina vrapon drejt lumit Yangtze River dhe hidhet në ujë për të shuar flakët.
Pas incidentit, ajo u dërgua menjëherë në spital, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe pa dëmtime të rënda.
Ndërkohë, shfaqja është ndërprerë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetime për të sqaruar rrethanat dhe për të verifikuar standardet e sigurisë gjatë performancës.
