Xheneta Fetahu ka folur rreth fëmijërisë së saj dhe nënës biologjike, e cila e braktisi kur ishte femije.“Të rritesh pa nënën tënde, nuk e di a ka dhimbje më të madhe. Unë kam pasur nderin dhe shumë fat që kam patur Sabrinën në jetën time, që nga mosha 7 vjeç gjithçka ndryshoi”, tha Xheneta, qe shtoi se nuk e ka falur nënën biologjike, duke rrefyer se në një moment të vështirë të saj, ajo i ka dhënë mundësinë që të takohen dhe e ëma nuk ka pranuar.
Na fol pak për Xhenetën e vogël, atë fëmijën e brishtë që ke qenë në fëmijërinë tënde?
Kur bëhet fjalë për jetën time kur kam qenë e vogël, emocionohem shumë dhe më kthen gjithmonë në atë kohën e vështirë që kam patur. Ka qenë një jetë me shumë sfida që nuk do kisha pas qejf asnjë njeri apo vajzë me përjetuar ato që kam përjetuar unë. Besoj se ka vajza që kanë përjetuar më shumë se unë, se gjithsecilit i duket ajo e vetja më e rëndë. Të rritesh pa nënën tënde nuk e di a ka dhimbje më të madhe. Unë kam pasur nderin dhe shumë fat që kam patur Sabrinën në jetën time, që nga mosha 7 vjeç gjithçka ndryshoi. Nuk ishte më jeta me shumë sakrifica, me u zgjuar shumë herët, me i bërë gjithë ato gjëra në shtëpi sikur të ishe grua e martuar, mos me shijuar fëmijërinë tënde. Tani ajo mbetet një sfidë që më kanë bërë njeriun që jam sot dhe kaq e fortë. Çdo sfidë e përballoj.
Çfarë mesazhi do u jepje të gjithë vajzave dhe grave që nuk janë rritur me një nënë?
Unë mendoj që secili fëmijë, si djalë si vajzë, duan të rriten me të dy prindërit se nuk ka ëndërr më të mirë edhe dashuri më të madhe. Po edhe ata që nuk e kanë atë fat të tillë, ju kisha thënë mos të dëshpërohen se mund të vijë dikush në jetë që ju do më shumë se prindi biologjik, me ta lumturuar gjithë jetën tënde. Unë mendoj se nuk është prind vetëm ai që të lind, po janë ata që kujdesen dhe të edukojnë. Para disa kohësh kam patur ato mendimet, me u martuar, me bërë fëmijë, edhe gjithmonë kam patur frikën mos do bëj të njëjtin gabim që ka bërë nëna ime biologjike, mos do paragjykohem. E thosha ‘jo nuk dua të bëhem njëherë’. E gjithmonë kur flas me Sabrinën më thotë ‘ti do kesh gjakun tim, do bëhesh si unë, do jesh nëna më e mirë në botë’.
Sot që flasim, e ke falur brenda vetes?
Jo, për arsye se edhe kur ja dhashë shansin me më takuar, nuk ishte aspak mirënjohëse. Kur i dhashë mundësinë asaj kam qenë shumë keq dhe mendova se do lumturohem, por ajo më bëri më keq. Nëse ajo e sheh këtë deklaratën time do kisha dashur që ta marrë këtë mësim që mos t’i lërë kurrë fëmijët që po jeton tani. Atë boshllëkun që kam brenda meje nuk e mbush askush, po të paktën mos të bëjë të përjetojnë fëmijët e tjerë.
E imagjinon veten në të ardhmen si nënë? Si do ishte Xheneta si nënë?
Mendoj se do jem nëna më kujdesshme dhe e përkushtuar ndonjëherë.



















